Kosova

Pas ndalimit të importit nga Kosova, Serbia humb 150 milionë euro

Ekonomia e Serbisë është dëmtuar për rreth 150 milionë euro që prej ndalimit të importit nga Kosova të mallrave me origjinë serbe.

Sipas Odës Ekonomike të Serbisë, ky dëm është shkaktuar që prej qershorit të vitit 2023 deri më 1 janar të vitit 2024.

Qeveria e Kosovës më 14 qershor pati ndaluar hyrjen e kamionëve me targa serbe dhe importin e mallrave me origjinë nga Serbia për arsye sigurie, pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe.

Siç ka thënë për “Betan”, Aleksandar Radovanoviq, nga Qendra për Bashkëpunim Rajonal në këtë odë, më së shumti kanë humbur kompanitë që kanë fabrika në Serbi dhe eksportojnë produkte të kompletuara, përfshirë ato të ushqimit e të higjienës.

Sipas të dhënave të Institutit GAP, Kosova më 2023 ka importuar nga Serbia mallra në vlerë prej 198 milionë eurosh. Serbia është e nënta në renditjen e importuesve më të mëdhenj në Kosovë.

Në vitin 2022, Kosova importoi rreth 370 milionë euro nga Serbia./Koha.net