Kosova
Osmani: Mungesa e balancës po e shkatërron kredibilitetin e dialogut

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se mungesa e një balance në dialogun Kosovë – Serbi, po e shkatërron kredibilitetin dhe po e bën Kosovën të pyesë nëse është pala e vetme që duhet të zbatojë marrëveshjet, përcjell albinfo.ch.
Ajo duke folur në Samtin e Kopenhagës për Demokraci, ka thënë se derisa Kosova ka shprehur gatishmërinë të zbatojë të gjitha marrëveshjet, Serbia s’po e bën këtë.
“Duam të respektojmë çdo marrëveshje që e kemi arritur në dialog. Por, si në të gjitha kontratat e tjera, ka dy palë, e nëse njëra palë nuk zbaton asnjë pikë, por minon marrëveshjet, e në rastin e Serbisë thotë publikisht se s’do të zbatojë e se nuk e pranon marrëveshjen, atëherë shtrohet pyetja nëse kemi një marrëveshje. I kemi kërkuar BE-së që palët të zbatojnë paralelisht marrëveshjen. Ne nuk po u ikim obligimeve që vijnë nga marrëveshja, por Serbia duhet të zbatojë në të njëjtën kohë”, ka thënë Osmani. “Obligimi i Kosovës nga marrëveshja është krijimi i një Asociacioni, ndër të tjera, por është me kushtin që Serbia ta bëjë njohjen de facto paralelisht, siç e tha edhe kancelari Scholz e presidenti Macron. Por, Serbia e bën të kundërtën, thotë se s’do ta njohim Kosovën as de facto e as de jure, se s’do ta lejojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Atëherë, cilat garanci do të kemi që të mos lëmë këtë Asociacion të dalë nga dora. Shikoni me problemet që po përballet Bosnja shkaku i Republika Sërpskas”.
Osmani ka thënë se Asociacioni që i është prezantuar Kosovës nuk ngjason me Republika Sërpskan, porse duhet të kujdeset as të mos jetë “kushëri i largët i saj”.
Ajo është ankuar se derisa Serbisë s’po i bëhet presion, Kosovës po i vendoset edhe kusht që për anëtarësim në Këshill të Evropës të themelohet Asociacioni.
“Të mos krijojmë kokëdhembje për partnerët evropianë e për vete sa i përket sigurisë e stabilitetit. E mënyra e vetme si funksionon kjo, është nëse zbatohet marrëveshja si e plotë. E jo t’i kërkohet Kosovës të zbatojë të gjitha pjesët e saj, e Serbisë t’i jepet ‘dritë e gjelbër’ për të kaluar çdo gjë. Si shembull kemi aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës, kemi kaluar me sukses dy fazat e para, e tash po na thuhet se duhet zbatuar Asociacioni. Kur e pyesim nëse Serbia do ta bëjë zbatimin paralelisht e do të votojë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill, askush nuk po i kërkon ta bëjë këtë. Përderisa ekziston kjo mungesë totale e balancit, atëherë shkatërron kredibilitetin e dialogut. Në Kosovë të pyesin nëse është vetëm një palë që duhet ta zbatojë. Nëse është vetëm një palë që zbaton, cila është ideja e marrëveshjes, e dialogut, pse u ulem me Serbinë dhe u dakorduam për ato marrëveshje. Ofruam për të nënshkruar propozimin franko-gjerman, por Serbia nuk deshi, presidenti i saj Vuçiq tha se po i dhemb dora e majtë, e pastaj e djathta…”, ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se edhe ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, në Samitin BE – Ballkan Perëndimor, para gjithë liderëve të BE-së tha se s’do të zbatojë marrëveshjen. Dhe, asnjë lider apo shtet anëtar nuk e pyeti “si nuk do ta zbatojë kur kemi dakordim”.
“Të gjithë po vinë e po na thonë ne se nuk ka rëndësi çfarë bën Serbia, duhet të zbatoni njëanshëm. Do të bënim po të mos kishte rrezik sigurie nga ky Asociacion. Do të zbatonim po të mos e dinim historinë e Republika Sërpskas, e si më 1991 nisi si Asociacion”, ka thënë Osmani.
Osmani ka thënë se Serbia vazhdon të jetë dorë e zgjatur e presidentit rus, Vladimir Putin, në Ballkanin Perëndimor.
“Siç e dini, Kosova kufizohet me Serbinë, vend që është dëshmuar të jetë dorë e zgjatur shumë lojale e Rusisë që përpiqet të luajë me ato lojërat e Putinit në Ballkan Perëndimor duke hapur një front të ri ndaj Perëndimit, sepse ky efekti shpërndarës me të cilin Rusia do të arrinte shpërqendrimin e vëmendjes nga Ukraina, kjo do të ishte shumë e nevojshme për ta. Puna që bëjmë bashkë me aleatët tanë, NATO-n, për të siguruar që Kosova të mbetet e sigurt e stabile, është një gjë që bëjmë çdo ditë, çdo orë”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës tha se Kosova definitivisht do të meritonte të anëtarësohej në Bashkim Evropian deri në vitin 2030.
Ajo thotë se Kosova është shumë më përpara sa i përket pajtueshmërisë me standardet e BE-së. Por, thotë se përkundër se Kosova ka aplikuar për statusin e kandidatit, ajo nuk është shqyrtuar fare deri më tash dhe kjo po dërgon mesazh negativ.
Presidentja e Republikës së Kosovës, në Samitin e Kopenhagës për Demokraci, tha se për Kosovën e ardhmja në familjen euroatlantike është vetë realiteti. Ajo tha se Bashkimi Evropian dhe NATO mbeten ndër aleancat më të njohura në historinë moderne.
“Jemi dëshmitarë të një sulmi të pandalshëm ndaj vlerave demokratike nga autokratët që e shohin demokracinë si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj ambicieve të tyre. Sa më e madhe të jetë dëshira e tyre për ta minuar demokracinë, aq më e fortë duhet të jetë vendosmëria jonë për ta luftuar. Jam krenare që qëndroj në këtë podium të sotëm për të ndarë me juve një këndvështrim në historinë e Kosovës si tregim i shpresës si tregim i demokracisë që jep rezultat”, tha ajo.
Sipas saj, demokracia më e gjallë në rajonin tonë është testament i vërtetë i asaj se si fati i një populli mund të transformohet kur jepet një rrugëtim drejt pavarësisë, lirisë e demokracisë, duke dalë nga hiri i një lufte gjenocidale.
E-Diaspora
-
Gjermani: Arrestohet mërgimtari në trenin Euro-City, kishte dokumente false Mërgimtari që prej vitit 2020 ishte regjistruar në Vorarlberg të Austrisë me të dhëna personale italiane...
-
Burgim i përjetshëm për shqiptarin, ka vrarë bashkatdhetarin e tij
-
Si mund të votojnë shqiptarët jashtë vendit për Shqipërinë në Eurovision 2025?
-
Nga Suedia, Rina Januzi nominohet në “Netët e Klipit Shqiptar 2025”
-
Dega e LDK-së në Zvicër shënoi 35-vjetorin e saj
Jeta në Austri
-
Pesë mënyra se si mund të kurseni para kur blini ushqim në Austri Nga pazaret e tregut te programet e besnikërisë së supermarketeve, ka shumë mënyra për t’i bërë...
-
Vjena sheh rritje 30% të rasteve të mbidozës së drogës tek adoleshentët
-
Gjërat që nuk mund t’i mbani në makinën tuaj në Austri
-
Austriakët arritën rekord prej 27.5 milionë udhëtime pushimesh
-
Domethënia e zgjedhjeve të Vjenës për të huajt, sezoni i alergjive dhe ngjarjet kryesore të javës në Austri