Portrete të firmave

Ora App dhe zgjidhja që po u kursen kompanive qindra franga në muaj në Zvicër

Për më shumë se një dekadë, mijëra punëtorë në Zvicër kanë filluar dhe mbaruar punën me fleta letre, mesazhe WhatsApp dhe Excel. Ora App është krijuar për të ndryshuar pikërisht këtë realitet. albinfo.ch bisedoi me ekipin që zhvilloi Ora App për historinë, misionin dhe vizionin e tyre.

albinfo.ch:  Para se të flasim për Ora App, na tregoni pak për veten dhe kompaninë tuaj?

Enis Jusufi: Jam Enis Jusufi, themelues i Rockapps LLC (www.rockapps.ch), kompani e themeluar në Kosovë (Prishtinë) dhe në Zvicër (Spreitenbach AG), e cila merret me krijimin e produkteve digjitale.

Që nga viti 2013 kemi punuar me kompani nga industri të ndryshme, por edhe me shumë biznese shqiptare në Zvicër. Kemi zhvilluar platforma për hoteleri, sisteme për menaxhim të kualitetit, zgjidhje për edukim joformal, aplikacione për kujdes shtëpiak, CRM për networking dhe shumë të tjera.

Kemi zhvilluar mbi 100 webfaqe dhe aplikacione mobile të ndryshme, disa prej të cilave janë përmendur nga mediat më të njohura në Zvicër. Shumica e këtyre projekteve janë aktive edhe sot në treg.

Kjo përvojë e gjatë na ka dhënë një gjë të çmuar: e dimë saktë si mendon një sipërmarrës, çfarë e shqetëson çdo ditë dhe ku humbet koha e tij më e vlefshme. Jemi dëshmitarë të shumë ideve që kanë marrë jetë dhe kemi mësuar nga secila prej tyre.

 

albinfo.ch:Ora App thuhet se lindi pas një alarmi në telefon. Si erdhi konkretisht kjo ide?

Enis Jusufi: Si kërkesë e kemi pasur prej kohësh nga klientët. Por gjithçka ndryshoi një ditë konkrete. Një klient ishte tek ne në zyrë dhe i ra alarmi në telefon.

E pyeta çfarë ishte dhe ai më tregoi se ishte një kujtues: ora 16:00, koha për t’u kërkuar punëtorëve të dërgonin fotografi të orëve të punës që i kishin shkruar me dorë në letër gjatë ditës. Nuk munda ta besoja. E dija që ka shumë aplikacione në treg për këtë, të lidhura edhe me sisteme SaaS të etabluara në Zvicër. Por ky klient, me një kompani funksionale dhe të suksesshme, ende përdorte fotografinë e një flete letre si sistem menaxhimi.

Vazhduam diskutimin dhe ai më shpjegoi gjithë procesin: si i mblidhte orët, si i përpunonte në Excel dhe si i dërgonte më pas një nga një te kontabilisti. Aty ishte “wake-up call” për ne. Detyra e teknologjisë është të ua lehtësojë jetën sektorëve të tjerë, jo t’ua komplikojë atë me sisteme që askush nuk i përdor.

Duke e ditur logjikën dhe sjelljen e këtyre sipërmarrësve, e dinim që zgjidhja duhej të ishte jashtëzakonisht e thjeshtë: jo më shumë se dy butona për punëtorin dhe po aq për menaxherin. Nëse është e komplikuar, nuk përdoret. Dhe nëse nuk përdoret, nuk zgjidh asnjë problem.

 

albinfo.ch: Nga ideja deri te produkti final, sa zgjati zhvillimi dhe si u bë testimi?

Enis Jusufi: Zhvillimi fillestar zgjati rreth 2 muaj. Por testimet në terren me firma reale zgjatën më shumë se 8 muaj: dhe ky ishte një nga vendimet më të mira që kemi marrë. Çdo ditë nga kantieri vinin detaje të reja, raste reale dhe situata që nuk i kishim imagjinuar në zyrë: punëtori që fillon pa internet, menaxheri që është në makinë, apo ekipe që punojnë në dy lokacione të ndryshme. Të gjitha këto e bënë Ora App të shpejtë, të qëndrueshëm dhe shumë efikas.

 

albinfo.ch: Si përdoret Ora App në praktikë dhe si rrjedh një ditë e zakonshme pune?

Enis Jusufi: Imagjinoni një kompani ndërtimi me 30 punëtorë. Në orën 7:00 fillon dita. Çdo punëtor hap telefonin, shtyp një buton dhe Ora App regjistron menjëherë kohën e fillimit, lokacionin GPS dhe projektin. Kjo funksionon edhe pa internet. Gjatë ditës, menaxheri i sheh të gjitha regjistrimet në kohë reale. Në fund të ditës, me një klikim të dytë regjistrohet dalja. Në fund të muajit, raporti për pagat gjenerohet automatikisht dhe dërgohet te kontabilisti. Pa letër, pa gabime, pa diskutime. Nëse ndodhin gabime, menaxheri mund t’i korrigjojë dhe çdo ndryshim regjistrohet për transparencë të plotë. (Ora App menaxhon automatikisht orët shtesë, kohën e rrugës dhe pushimet vjetore: me logjikë të plotë dhe pa ndërhyrje manuale.)

 

albinfo.ch: Tregu ofron edhe zgjidhje të tjera të ngjashme. Çfarë e bën Ora App ndryshe dhe si pozicionohet për nga çmimi?

Enis Jusufi: Po, ka. Por shumica janë të përgjithshme dhe nuk janë ndërtuar për një industri specifike. Ora App është ndërtuar vetëm për një gjë: menaxhimin e orëve të punës në Zvicër. Ne e njohim ligjin zviceran dhe tregun që nga viti 2013. Gjithashtu, është një nga zgjidhjet më të përballueshme në treg: me një kosto më të ulët se një kafe në ditë për punëtor.

albinfo.ch: Nëse një kompani përdor tashmë një sistem tjetër, sa i lehtë është kalimi në Ora App?

Enis Jusufi: Aspak. Migrimi zgjat rreth 15 minuta dhe bëhet nga ekipi ynë. Konfigurimi dhe trajnimi janë falas, dhe ofrojmë një muaj përdorim pa detyrime që kompanitë ta shohin vetë ndryshimin.

 

albinfo.ch: Si është organizuar mbështetja për klientët në rast pyetjesh apo problemesh teknike?

Enis Jusufi: Kemi ekip suporti në shqip, gjermanisht dhe anglisht, gjashtë ditë në javë. Komunikimi bëhet përmes WhatsApp, sepse është mënyra më praktike për terrenin. Të gjitha të dhënat ruhen në Zvicër dhe sistemi është ndërtuar për stabilitet maksimal.

 

albinfo.ch: Pse është i rëndësishëm për komunitetin e biznesit shqiptar Ora App?

Enis Jusufi: Komuniteti shqiptar është ndër më aktivët në sektorin e ndërtimit në Zvicër. Shumë prej klientëve tanë janë kompani shqiptare (65+ kompani) dhe kanë kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e produktit. Për ne, ata janë partnerë në këtë rrugëtim.

 

albinfo.ch: Çfarë do t’u thonit sipërmarrësve që ende përdorin metoda tradicionale si Excel apo letër?

Enis Jusufi: Do t’u thosha që të gjitha ato orë të humbura çdo javë mund të shmangen. Kur ke kontroll të plotë mbi orët e punës, merr vendime më të sakta, paguan drejt dhe shmang çdo keqkuptim. Mjafton ta testoni gratis dhe shifrat flasin në fund të muajit.

 

albinfo.ch: Si e shihni të ardhmen e Ora App?

Enis Jusufi: Versioni 2.0 do të sjellë inteligjencë artificiale dhe komanda me zë. Menaxhimi do të bëhet direkt nga telefoni, edhe gjatë lëvizjes. Qëllimi ynë është që menaxheri të mos humbasë asnjë minutë me administratë.

 

Zbuloni Ora App: Demo 1 muaj falas (Regjistrimi i kompanisë dhe ekipit zgjat max 15 minuta):
www.ora-app.ch