Një tjetër sukses i të rinjve kosovarë në arenën ndërkombëtare. Vehbi Terzi, nxënës i klasës së dhjetë në International Maarif Schools of Kosova, ka fituar vendin e parë në kategorinë e Shkencave Shoqërore në Festivalin e 8-të Ndërkombëtar të Shkencës dhe Kulturës së Botës Turke, të mbajtur në Gaziantep të Turqisë, përcjell albinfo.ch.
Nxënësi kosovar është vlerësuar për projektin e tij “Olric.ai”, i cili bazohet në inteligjencën artificiale dhe synon të mundësojë komunikimin pa barriera.
Festivali është zhvilluar nga 26 deri më 28 tetor 2026, duke mbledhur pjesëmarrës nga 23 vende të ndryshme.
Në këtë organizim ndërkombëtar janë prezantuar gjithsej 142 projekte, të përzgjedhura nga mbi 1.000 aplikime.
Vehbi Terzi e ka zhvilluar projektin nën mentorimin e mësimdhënësit Sylejman Ramadani, me mbështetjen e Fondacionit Turk Maarif.
Përmes projektit të tij, ai ka përfaqësuar Kosovën në një ngjarje që bashkon të rinj të talentuar në fushat e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit.
International Maarif Schools of Kosova ka përgëzuar nxënësin dhe mentorin e tij për këtë arritje, duke theksuar se suksesi dëshmon rëndësinë e mbështetjes së të rinjve në zhvillimin e ideve inovative.
Ky çmim përbën një tjetër arritje për të rinjtë nga Kosova, të cilët po dëshmojnë potencialin e tyre në konkurse dhe aktivitete shkencore ndërkombëtare.