Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot, më 17 nëntor 2026, mbahet seanca e shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, dhe Fadil Fazliut, në rastin që lidhet me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë, transmeton albinfo.ch.
Sipas aktakuzës së konfirmuar më 29 nëntor 2024, të akuzuarit dyshohen për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Prokuroria pretendon se, gjatë periudhës 12 prill – 2 nëntor 2023, Thaçi u kishte dhënë Smakajt, Kilajt dhe Fazliut informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, si dhe udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e tyre.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, Thaçi kishte bashkërenduar tri grupe të veçanta për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve. Ndërkohë, në aktakuzë përfshihen edhe pretendime për kontakte të palejuara me dëshmitarë nga ana e Hajredin Kuçit.
Prokuroria kërkoi gjashtë vjet burgim për Thaçin
Në kuadër të kërkesës për dënim, Prokuroria ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Hashim Thaçin, duke kërkuar që koha e kaluar në paraburgim të mos i llogaritet në dënimin e mundshëm.
Për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun janë kërkuar nga tre vjet burgim, ndërsa për Hajredin Kuçin nëntë muaj burgim.
Prokuroria pretendon se përpjekjet për të ndikuar në dëshmitarë dëshmohen edhe nga 28 incizime të realizuara gjatë nëntë vizitave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, përgjatë një periudhe katërmujore.
Gjykimi në këtë çështje kishte nisur më 27 shkurt 2026, ndërsa pas administrimit të provave dhe deklaratave përmbyllëse, gjykatësi i vetëm e kishte shpallur procesin të mbyllur më 14 shtator të këtij viti.
Ndryshe, ky është një proces i veçantë nga gjykimi për krime lufte, në të cilin Hashim Thaçi, më 16 shtator 2026, u dënua me 25 vjet burgim.
Të pesë të akuzuarit gëzojnë prezumimin e pafajësisë për akuzat në këtë proces, deri në vendimin përkatës të gjykatës./Albinfo.ch