E rritur në Austri pas shpërnguljes familjare nga Kosova, Mirlinda Spahiu përfundoi studimet Master of Laws në Universitetin Ekonomik të Vjenës (WU). Pas diplomimit qëndron një histori e veçantë sakrifice, përkushtimi dhe një premtimi për të realizuar ëndrrën që babai i saj ishte detyruar ta linte përgjysmë për shkak të luftës në Kosovë, shkruan albinfo.at.
Disa ëndrra lindin nga dëshira personale, ndërsa disa të tjera trashëgohen nga njerëzit që kanë bërë sakrifica për një të ardhme më të mirë të fëmijëve të tyre. Për Mirlinda Spahiun, rrugëtimi drejt diplomimit në drejtësi është pikërisht një histori e tillë: një ëndërr që nisi shumë përpara se ajo të ulej në auditorët universitarë dhe që përfundimisht u realizua përmes përkushtimit të saj.
Me prejardhje nga Lipjani i Kosovës, Mirlinda u shpërngul familjarisht në Austri në vitin 2009, me dëshirën e prindërve për t’u ofruar fëmijëve një jetë më të mirë dhe më shumë mundësi për të ardhmen.
Megjithatë, pas kësaj shpërnguljeje fshihej edhe një histori personale e babait të saj, i cili dikur kishte ëndërruar të bëhej jurist.
Kur shpërtheu lufta në Kosovë, babai i Mirlindës ishte vetëm 22 vjeç, student i drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, bashkëshort dhe baba. Ai vendosi t’i ndërpriste studimet për t’iu bashkuar vullnetarisht Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke lënë pas librat dhe auditorët universitarë për t’iu përgjigjur thirrjes për të mbrojtur vendin.
Pas përfundimit të luftës, rrethanat e vështira ia pamundësuan rikthimin në studime. Me kalimin e viteve, ai u detyrua të largohej nga Kosova dhe të emigronte në Austri, ku nisi një jetë të re, duke punuar në ndërtimtari për të siguruar të ardhmen e familjes.
Një episod nga jeta e tij do të bëhej më vonë pikënisja e motivimit më të madh për të bijën
Disa vite pas luftës, babai i Mirlindës ishte takuar me ish-kolegët e tij të fakultetit, të cilët ndërkohë kishin përfunduar studimet dhe ishin bërë juristë. Takimi e kishte prekur thellë, duke ia rikujtuar ëndrrën e ndërprerë. Për këtë arsye, ishte kthyer në fakultetin ku dikur kishte studiuar, jo për t’i vazhduar studimet, por për të marrë disa libra juridikë, si kujtim nga rrugëtimi që nuk kishte mundur ta përfundonte.
Kur Mirlinda u bashkua me familjen në Austri, më shumë se 15 vjet më parë, i mori me vete edhe ata libra, pa dijeninë e babait të saj. Për të, ato nuk ishin thjesht libra, por një kujtim i një ëndrre të mbetur përgjysmë dhe një motivim për ta vazhduar atë në emër të tij.
Nga ëndrra e babait te diploma Master në Vjenë
Mirlinda e nisi rrugëtimin akademik në Austri, duke u përballur me sfidat e përshtatjes në një shtet të ri, mësimin e gjuhës dhe integrimin në një sistem tjetër arsimor, shkruan tutje albinfo.at.
Ajo përfundoi studimet Bachelor of Laws në programin Business Law (JUS+) në Universitetin Ekonomik të Vjenës (Wirtschaftsuniversität Wien – WU), një institucion universitar i njohur në fushën e ekonomisë dhe biznesit.
Pas përfundimit të studimeve Bachelor, ajo vazhdoi rrugëtimin akademik në të njëjtin universitet, ku këtë vit përfundoi edhe studimet Master of Laws (LL.M.), me specializim në të drejtën tatimore dhe prokurimin publik.
Gjatë studimeve, interesimi i saj akademik u përqendrua veçanërisht në të drejtën evropiane dhe ndërkombëtare. Kjo fushë u bë pjesë e rëndësishme e formimit të saj, duke qenë temë e punimit përfundimtar të Bachelorit dhe atij të Masterit.
Përtej programit të rregullt universitar, Mirlinda ndoqi edhe kurse online në universitete të tjera, kryesisht në fushën e së drejtës evropiane dhe ndërkombëtare, me synimin për të zgjeruar njohuritë dhe perspektivën e saj profesionale.
Interesimi për institucionet evropiane e çoi edhe përtej auditorëve. Gjatë studimeve Master, ajo pati mundësinë t’i vizitonte personalisht disa prej institucioneve kryesore evropiane, duke u njohur nga afër me funksionimin e tyre dhe duke e lidhur njohurinë teorike me përvojën praktike.
Për Mirlindën, këto përvoja përbënin një mundësi të veçantë për ta kuptuar më mirë funksionimin e institucioneve dhe mekanizmave juridikë evropianë, të cilët deri atëherë i kishte studiuar kryesisht përmes literaturës akademike.
Studimet dhe përvoja profesionale ecën paralelisht
Përkushtimi i saj ndaj formimit profesional nuk u kufizua vetëm në arritjet akademike. Mirlinda e kishte të qartë se përgatitja për një karrierë të suksesshme kërkonte edhe përvojë praktike, prandaj gjatë gjithë studimeve universitare punoi paralelisht në sektorë të ndryshëm.
Ajo fitoi përvojë pune në banka, zyra të avokatisë dhe në fushën e konsulencës tatimore, duke krijuar një bazë të rëndësishme njohurish për fusha të ndryshme të ekonomisë dhe drejtësisë.
Këto përvoja i mundësuan të njihte më nga afër zbatimin e njohurive juridike në praktikë, si dhe të zhvillonte aftësi që mund t’i shërbejnë në vazhdimin e karrierës së saj profesionale.
Megjithatë, përtej përkushtimit individual, ajo e konsideron familjen shtyllën kryesore të këtij rrugëtimi.
Mbështetjen më të madhe e ka pasur nga prindërit, veçanërisht nga nëna e saj, e cila i ka qëndruar pranë në çdo fazë të studimeve, në periudhat e provimeve, vështirësive dhe arritjeve. Sipas Mirlindës, përveç ambicies dhe motivimit, një rrugëtim i tillë kërkon edhe qetësi, dashuri dhe mbështetje të vazhdueshme nga njerëzit më të afërt.
Edhe motra dhe vëllai i saj kanë ndërtuar rrugëtimet e tyre akademike dhe profesionale në Austri. Të tre kanë studiuar në Universitetin Ekonomik të Vjenës (WU), duke e bërë arsimin e lartë një pjesë të rëndësishme të historisë së familjes Spahiu.
Vëllai i saj, Murat Spahiu, ka përfunduar studimet Bachelor of Science, ndërsa motra, Erita Spahiu, ka përfunduar Bachelor of Laws dhe aktualisht po vazhdon studimet Master of Laws. Të dy kanë punuar në sektorin bankar gjatë studimeve dhe vazhdojnë të jenë aktivë në këtë fushë edhe pas përfundimit të tyre.
Një histori integrimi dhe motivimi për të rinjtë shqiptarë në diasporë
Duke e parë rrugëtimin e saj në retrospektivë, Mirlinda thotë se e di mirë se sa sfiduese është të fillosh jetën në një shtet të huaj, të mësosh një gjuhë të re, të gjesh punë dhe njëkohësisht të ndjekësh studimet universitare.
Ajo dhe familja e saj e kishin nisur shkollimin në Kosovë, për t’u përballur më pas me nevojën e përshtatjes me një vend dhe sistem krejtësisht tjetër.
Pikërisht për këtë arsye, arritjet e saj dhe të dy vëllezërve e motrave i sheh edhe si dëshmi se mundësitë për arsimim dhe avancim profesional janë të arritshme për të rinjtë shqiptarë në diasporë, pavarësisht sfidave fillestare.
Mirlinda synon që historia e saj të shërbejë si motivim për të rinjtë që kanë ëndrra të ngjashme, por që ndonjëherë mund të përballen me pasiguri apo vështirësi gjatë rrugës së tyre.
Për të, përfundimi i Masterit nuk shënon fundin e rrugëtimit akademik. Ajo synon të vazhdojë studimet e doktoraturës në drejtësi, ndërsa dëshira për dije dhe për të mësuar vazhdimisht është bërë tashmë një pjesë e pandashme e synimeve të saj.
Në fund, Mirlinda e përshkruan diplomimin me një mesazh që përmbledh gjithë kuptimin e kësaj arritjeje: diploma mban emrin e saj, por suksesi u takon të gjithëve që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi.
Për babanë, që e la përgjysmë ëndrrën e tij për një të ardhme më të mirë të fëmijëve; për nënën, që i qëndroi pranë me dashuri dhe përkrahje; si dhe për motrën dhe vëllanë, me të cilët ndau sfidat dhe sukseset.
“Ëndrra e tij. Rrugëtimi im. Suksesi ynë.” – është mesazhi me të cilin Mirlinda Spahiu e shoqëroi lajmin e diplomimit, duke i dhënë kësaj arritjeje një kuptim shumë më të madh se një titull akademik.
Një ëndërr që dikur u ndërpre nga lufta, sakrificat dhe rrethanat e jetës, sot është bërë realitet përmes vajzës që vendosi ta vazhdojë atë./Albinfo.at


