Skip to content

Logitech u jep një ditë pushim 7.000 punonjësve për lansimin e GTA 6

@unsplash

Kompania zvicerane Logitech do t’u japë një ditë pushim rreth 7.000 punonjësve të saj më 19 nëntor, me rastin e lansimit të videolojës së shumëpritur GTA 6.

Kompania, me seli në Lozanë, ka vendosur që punonjësit të kenë mundësi ta shijojnë lojën në ditën e publikimit të saj.

“Ka ardhur koha të hedhim poshtë paragjykimin se videolojërat janë humbje kohe”, ka deklaruar drejtoresha ekzekutive e Logitech, Hanneke Faber.

Lansimi i GTA 6 ka ngjallur interesim të madh në mbarë botën. Sipas një ankete të PCMag, tetë për qind e lojtarëve të rritur në SHBA planifikojnë të marrin pushim ose të ndryshojnë orarin e punës për të luajtur lojën, ndërsa te gjenerata Z kjo përqindje arrin në 13 për qind.

Megjithatë, Instituti KOF për Hulumtime Ekonomike në kuadër të ETH Cyrih vlerëson se lansimi nuk pritet të ketë ndikim të konsiderueshëm në ekonominë zvicerane. Efekti pritet të vërehet kryesisht te shitësit e pajisjeve elektronike dhe konzolave të lojërave.

Sipas ekspertëve, mungesat e mundshme të punonjësve në ditën e lansimit nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht humbje të orëve të punës, pasi në shumicën e rasteve mund të bëhet fjalë vetëm për zhvendosje të pushimeve të planifikuara.