Kombëtarja e Zvicrës ka shënuar fitore të thellë ndaj Skocisë, në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve, duke e mbyllur me sukses paraqitjen në Ligën B.
Pjesa e parë ishte më e vështirë për zviceranët, të cilët e nisën takimin me tetë ndryshime në formacionin startues krahasuar me ndeshjen ndaj Sllovenisë. Pavarësisht vështirësive për të gjetur ritmin e lojës, vendasit kaluan në epërsi në minutën e 22-të, pas një autogoli të Lewis Ferguson, i cili devijoi pa dashje në rrjetë një krosim të Zachary Athekame.
Pas pushimit, Zvicra u shfaq shumë më e vendosur dhe arriti ta vulosë fitoren brenda pak minutash.
Në minutën e 47-të, Winsley Boteli shënoi golin e dytë për Zvicrën, duke devijuar në rrjetë goditjen e Samuel Ballet, i cili kishte depërtuar mirë në zonën kundërshtare. Për Botelin ky ishte goli i parë me fanellën e kombëtares.
Vetëm katër minuta më vonë, në minutën e 51-të, Alvyn Sanches realizoi një gol të bukur për rezultatin 3:0. Edhe për të ishte goli i parë në paraqitjen e tij të shtatë me kombëtaren zvicerane.
Dy jubile të veçanta për futbollistët zviceranë
Ndeshja në St. Gallen ishte e veçantë edhe për dy futbollistë të Zvicrës.
Remo Freuler e zhvilloi ndeshjen e tij të 100-të me kombëtaren dhe, për herë të parë, e udhëhoqi ekipin si kapiten. Ai e shoqëroi këtë jubile me një paraqitje të mirë në mesfushë.
Ndërkohë, Ricardo Rodriguez u inkuadrua në lojë në minutën e 72-të, duke regjistruar paraqitjen e 150-të me fanellën e Zvicrës. Para fillimit të ndeshjes, ai u nderua për këtë arritje. Në historinë e kombëtares zvicerane, vetëm Granit Xhaka ka më shumë paraqitje se ai, me dy ndeshje më tepër.
Në anën tjetër, edhe kapiteni i Skocisë, Andy Robertson, regjistroi një arritje të rëndësishme, duke u bërë futbollisti me më së shumti paraqitje në historinë e kombëtares skoceze, me 103 ndeshje.
Rezultatin përfundimtar 4:0 e vulosi Zeki Amdouni në minutën e 89-të, pas inkuadrimit të tij nga banka rezervë. Në minutat e fundit të takimit, Zvicra regjistroi edhe një debutim, pasi Roggerio Nyakossi u aktivizua në minutën e 86-të.
Zvicra e përfundon Ligën e Kombeve me bilanc pothuajse perfekt
Me këtë fitore, Zvicra e përmbylli garën në Ligën B të Ligës së Kombeve me 16 pikë nga 18 të mundshme.
Përfaqësuesja zvicerane e kishte siguruar paraprakisht rikthimin në Ligën A, ndërsa fitorja ndaj Skocisë i dha fund me një rezultat pozitiv vitit të ndeshjeve ndërkombëtare, para tifozëve të saj.
Në ndeshjen tjetër të grupit, Sllovenia fitoi 3:0 në udhëtim ndaj Maqedonisë së Veriut, duke siguruar vendin e dytë në grup. Sllovenët do të luajnë në ndeshjet e plejofit për inkuadrim në Ligën A.
Kualifikimet për EURO 2028 nisin në vitin 2027
Edhe pse ndeshjet e kombëtareve për këtë vit kanë përfunduar, futbollistët dhe përfaqësueset evropiane do të kenë një tjetër datë të rëndësishme më 6 dhjetor, kur në Belfast do të hidhet shorti për grupet kualifikuese të Kampionatit Evropian 2028.
Zvicra do të jetë pjesë e vazos së dytë në short. Fushata kualifikuese për EURO 2028 do të zhvillohet nga marsi deri në nëntor të vitit 2027.