Skip to content

Ndalohet një zyrtar i Gjykatës në Prishtinë, dyshohet për dosje fiktive dhe vërtetim dokumenti të falsifikuar

Sipas Prokurorisë, veprimet e dyshuara mundësuan regjistrimin e një banese në Matiçan në emër të një shtetasi të Serbisë, i cili ndodhet në arrati.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar për 48 orë zyrtarin me inicialet A.B., i cili ka ushtruar detyrën e udhëheqësit të Zyrës për Menaxhimin e Lëndëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndalimi është bërë më 16 nëntor, pas hetimeve disamujore në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës.

A.B. dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Prokuroria dyshon se ai, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare, kishte krijuar dosje fiktive dhe kishte vendosur vulën e vërtetësisë në kopjen e një dokumenti të falsifikuar, të titulluar “Kontratë për shitblerje”. Përmes këtyre veprimeve, dyshohet se i kishte mundësuar vetes dhe personave të tjerë përfitim të kundërligjshëm pasuror.

Në këtë mënyrë, një shtetasi të Serbisë me inicialet M.B., i cili ndodhet në arrati, dyshohet se i është mundësuar regjistrimi i një prone banesore në emrin e tij në Zyrën Kadastrale në Prishtinë.

Banesa ka sipërfaqe prej 55,89 metrash katrorë dhe ndodhet në Zonën Kadastrale Matiçan.

Prokurori i Shtetit do të paraqesë brenda afatit ligjor kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit./Albinfo.ch