Prishtinë, Kosovë, 16 nëntor 2026 – Hilton Prishtina, hoteli i parë i Hilton në Kosovë, hapi sot dyert në zemër të kryeqytetit. Hoteli 17-katësh, investim i kompanisë Royal SH.P.K., është në pronësi të saj dhe menaxhohet nga Hilton. Me gjithsej 196 dhoma dhe suita, Hilton Prishtina u ofron një destinacion të ri si udhëtarëve të biznesit, ashtu edhe atyre që udhëtojnë për pushime.
Dizajni i veçantë, hapësirat plot gjallëri dhe shërbimet e standardit të lartë e bëjnë Hilton Prishtina një vend ku mysafirët dhe banorët e qytetit mund të takohen, të kalojnë kohë së bashku dhe ta përjetojnë Prishtinën nga afër.
Arkitektura mban firmën e studios kosovare Rraci Ark Ing, ndërsa enterierin e ka projektuar studioja Autoban nga Stambolli dhe restorantet i ka dizajnuar HBA London. Së bashku, këto elemente i japin hotelit një identitet të veçantë, ndërsa dritaret nga dyshemeja deri në tavan ofrojnë pamje panoramike të Prishtinës.
Katharina Schlaipfer, nënpresidente e operacioneve për Evropën Kontinentale, tha: “Gëzohemi shumë që po e shënojmë hyrjen e Hilton në Kosovë me Hilton Hotels & Resorts, markën tonë kryesore. Hilton Prishtina i shtohet rrjetit tonë gjithnjë e më të gjerë të hoteleve në Evropë dhe u ofron udhëtarëve një destinacion të ri për ta zbuluar me Hilton. Ka qenë kënaqësi ta shihnim këtë hotel teksa merrte jetë. Tani mezi presim t’i mirëpresim mysafirët tanë.”
“Ky hotel përfaqëson një investim prej mbi 60 milionë eurosh në të ardhmen e mikpritjes në Kosovë”, tha Arbër Kryeziu, duke folur në emër të të dy pronarëve të hotelit, të tij dhe të bashkëshortes, Teutës.
“Që në fillim, ambicia jonë ishte të ndërtonim një nga hotelet më të mira të markës Hilton Hotels & Resorts në rajon, pikërisht këtu në Prishtinë. Për ta realizuar këtë synim, bëmë bashkë profesionistë të dizajnit nga vendi dhe bota dhe këmbëngulëm që çdo punim të përmbushte standardet më të larta të mjeshtërisë. Restorantet i kemi menduar po aq për prishtinasit sa edhe për mysafirët që qëndrojnë tek ne. Shpresojmë që secili mysafir të largohet me kujtime të bukura nga qëndrimi këtu dhe të ruajë një lidhje të veçantë me Prishtinën.”
Stella Zinn, drejtoreshë e përgjithshme e Hilton Prishtina, tha: “Hapja e Hilton Prishtina është një moment krenarie për ekipin tonë dhe një hap i rëndësishëm për mikpritjen në Kosovë. Synojmë të vendosim standardin e mikpritjes së nivelit të lartë në rajon, duke ndërthurur shërbimin për të cilin njihet Hilton me ngrohtësinë e mikpritjes vendase. Kjo mikpritje nis me një fjalë të thjeshtë shqip: ‘Përshëndetje!’ Qoftë kur qëndroni në hotel, qoftë kur vini nga qyteti për të ngrënë apo për të festuar, mezi presim t’ju mirëpresim e t’ju bëjmë të ndiheni si në shtëpi që në vizitën e parë.”
Mysafirët kanë në dispozicion shërbimin në dhomë dhe palestrën 24 orë në ditë. Qëndrimi në dhoma dhe suita të caktuara përfshin edhe hyrjen në Executive Lounge, ndërsa ekipi i shërbimit concierge mund t’i ndihmojë mysafirët ta njohin Prishtinën përmes përvojave vendase.
Për takime dhe festime, hoteli ofron rreth 800 metra katrorë në tetë hapësira të përshtatshme për lloje të ndryshme ngjarjesh, përfshirë sallën Royal Ballroom. Për çdo rast, nga takimet e vogla e konferencat deri te dasmat dhe festat e veçanta, hoteli ofron mbështetjen e një ekipi të specializuar, pajisje moderne audiovizuale dhe menu të përshtatura sipas rastit.
Spa-ja pritet të mirëpresë mysafirët pak pas hapjes së hotelit, ndërsa hapja e Chamba Rooftop Bar & Dining parashikohet në muajt në vijim.
Në Hilton Prishtina, mysafirët mund të zgjedhin mes shijeve të kuzhinës siciliane dhe atmosferës së qetë të Regale Bar & Lounge.
Në Isola Cucina Siciliana, shefi i kuzhinës Biagio Zapparrata sjell frymën e Sicilisë në Prishtinë përmes një menuje sezonale të frymëzuar nga trashëgimia e tij siciliane dhe nga kënaqësia e një vakti të përbashkët. Kuzhina e hapur u jep mysafirëve mundësinë ta ndjekin gatimin nga afër, ndërsa përgatitja e disa pjatave përfundon në tavolinë, para mysafirëve. Pas mëngjesit dhe drekës, vjen koha për një aperitiv e më pas për darkë rreth tryezës.
Në Regale Bar & Lounge, dita nis me kafe të sapopërgatitur, matcha ceremoniale dhe ëmbëlsira të freskëta, vijon me dreka biznesi dhe mbyllet me kokteje e verëra vendase në mbrëmje. I frymëzuar nga gjethet e harlisura të bimës Anthurium Regale, ambienti ndërthur shijen vendase me një elegancë të natyrshme. Është një sallon që i fton mysafirët dhe prishtinasit të çlodhen e të kalojnë kohë së bashku në çdo orë të ditës.
Hilton Prishtina ndodhet në rrugën Tirana, Prishtinë, Kosovë, pranë Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, monumentit NEWBORN dhe stadiumit “Fadil Vokrri”. Nga hoteli arrihet lehtë në sheshin “Nënë Tereza” dhe në pikat e interesit kulturor të qytetit.
Mysafirët e Hilton Prishtina mund të përfitojnë edhe nga Hilton Honors, programi i besnikërisë i Hilton, i vlerësuar me çmime. Përmes kanaleve zyrtare të Hilton, anëtarët mund të rezervojnë qëndrimet e tyre, të grumbullojnë pikë Hilton Honors dhe t’i përdorin ato për qëndrime në hotel, si dhe të gëzojnë përfitimet e programit që tashmë i njohin dhe i vlerësojnë.
Për më shumë informacione ose për të rezervuar, vizitoni www.hilton.com/prishtina ose telefononi në +383 38 787 000.
Për më shumë rreth Hilton, vizitoni stories.hilton.com.
Rreth Hilton Hotels & Resorts
Prej më shumë se një shekulli, Hilton Hotels & Resorts ka vendosur standardin e mikpritjes në mbarë botën, duke lidhur njerëz, kultura dhe komunitete. Me dizajn të veçantë dhe hapësira të përbashkëta plot gjallëri, nga hollet e frekuentuara e baret plot jetë te restorantet e klasit të parë dhe ngjarjet që lënë gjurmë, Hilton Hotels & Resorts është vendi ku njerëzit takohen në destinacionet më të kërkuara të botës.
Me më shumë se 600 hotele në gjashtë kontinente, Hilton Hotels & Resorts bashkon udhëtarë nga e gjithë bota dhe i mirëpret me profesionalizëm e përkujdesje.
Përjetoni mikpritjen legjendare të Hilton Hotels & Resorts duke rezervuar në hiltonhotels.com ose përmes aplikacionit Hilton Honors, një nga aplikacionet kryesore të industrisë. Anëtarët e Hilton Honors që rezervojnë drejtpërdrejt përmes kanaleve të preferuara të Hilton përfitojnë menjëherë nga privilegjet e programit.
Mësoni më shumë rreth Hilton Hotels & Resorts në stories.hilton.com/hhr dhe ndiqeni markën në Facebook, X dhe Instagram.





