Skip to content

Subvencionet për sigurimin shëndetësor në Bernë, afati për aplikim përfundon më 31 dhjetor

Personat, të cilëve e drejta për subvencion nuk u shqyrtohet automatikisht, duhet të paraqesin kërkesë brenda vitit për të përfituar mbështetjen për vitin 2026.

Banorët e kantonit të Bernës, të cilëve e drejta për subvencionimin e primeve të sigurimit shëndetësor nuk u shqyrtohet automatikisht, duhet të dorëzojnë kërkesën për vitin 2026 deri më 31 dhjetor, përcjell albinfo.ch.

Sipas Zyrës Kantonale të Sigurimeve Shoqërore, e drejta për këtë mbështetje zakonisht llogaritet automatikisht në bazë të të dhënave përfundimtare tatimore të dy viteve më parë. Personat që plotësojnë kushtet njoftohen me shkrim.

Megjithatë, në raste të caktuara kërkohet aplikim individual. Kërkesë mund të paraqesin edhe personat që kanë pësuar ndryshime të konsiderueshme dhe të qëndrueshme në gjendjen financiare ose ndryshime në rrethanat familjare.

Aplikimi mund të bëhet online. Autoritetet këshillojnë që aplikuesit të kenë gati numrin e sigurimeve shoqërore dhe dokumentet e nevojshme.

Në varësi të mënyrës së aplikimit, mund të kërkohet edhe dërgimi me postë i dokumenteve dhe i konfirmimit të nënshkruar. Vetëm ruajtja e formularit online nuk e përfundon aplikimin.

Pas shqyrtimit të kërkesës, aplikuesit njoftohen me shkrim për vendimin./Albinfo.ch