Kosova

Nesër në Paris tërhiqet shorti për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve të UEFA-s

Bëhet e ditur se të enjten, prej orës 18:00, në Paris tërhiqet shorti për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve të UEFA-s në futboll. Pjesë e shortit do të jetë edhe Kosova, përcjell albinfo.ch.

Por, ky short nuk e gjen në momentin më të mirë përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Kosova është pa selektor, e po ashtu pa stadium. Së fundi edhe raportet e përgjegjësve të përfaqësueses me disa lojtarë, sidomos me Edon Zhegrovën, ishin goxha të acaruara.

Mungesa e kompetencës së plotë nga përgjegjësit e përfaqësueses ndikon po ashtu në atmosferën e përgjithshme te Kosova, që së fundi ishte larg prej asaj që synohet.

Ndeshjet e Ligës së Kombeve fillojnë në shtator dhe deri atëherë Kosova do të ketë selektorin. Ka shpresë që edhe stadiumi “Fadil Vokrri” do të hapet, pasi u mbyll për të rinovuar fushën, që u vlerësua e turpshme jo rrallëherë gjatë vitit të kaluar. Një futbollist izraelit madje e krahasoi me “stallë derrash”.

Emra të rinj lojtarësh priten te Kosova në muajt e ardhshëm dhe në shtator me shumë gjasë optimizmi për sukses do të jetë i madh, si në fillim të çdo cikli kualifikues. Shumë do ta varet edhe nga selektori i ri, por ndonjë ndryshim rrënjësor në mënyrën se si funksionon përfaqësuesja e Kosovës në futboll nuk pritet.

Kosova në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, 2018/19, kishte garuar në Ligën D, që është niveli më i ulët. Pasi e kishte fituar grupin, avancoi në Ligën C, ku u paraqit në edicionin 2020/2021 dhe 2022/2023. Në edicionin e fundit ishte në grup me Greqinë, Irlandën e Veriut dhe Qipron. Greqia e fitoi grupin dhe avancoi në Ligën D, ndërsa Kosova ishte e dyta dhe mbeti në Ligën C.

Në short do të jetë në vazon e dytë së bashku me Azerbajxhanin, Bullgarinë dhe Ishujt Faroe. Pra këto përfaqësuese nuk do t’i ketë kundërshtare. Në vazon e parë të Ligës C janë Rumania, Suedia, Armenia dhe Luksemburgu. Vazoja e tretë përbëhet nga Maqedonia e Veriut, Sllovakia, Irlanda e Veriut dhe Qipro. Ndërkohë, Bjellorusia, Estonia, Letonia dhe Lituania apo Gjibraltari do të jenë në vazon e katërt.

Kosova do t’i ketë dy ndeshje në shtator, dy në tetor e dy në nëntor. Për Ligën e Kombeve do të përgatitet me miqësoret që i zhvillon në mars e në qershor. Tre prej katër kundërshtarëve të miqësoreve dihen tashmë: Armenia, Hungaria, Norvegjia.

Me shumë interesim po pritet emri i selektorit të ri të Kosovës. Kishte premtime se ai do të caktohet në janar, por kjo nuk ndodhi. Emra të shumtë janë përmendur e përmenden.

“Janë tre trajnerë në këtë fazë finale. Do të jetë gjermanofolës. Mund të bëhet e ditur javën e ardhshme, por para ndeshjeve do të jetë sigurt”, ka thënë të martën për KOHËN, Agim Ademi, kryetar i FFK-së.

“Do të jenë katër miqësore që trajneri i ri do t’i ketë në dispozicion për të përgatitur ekipin për ciklin e ri të Ligës së Kombeve. Ta shohim shortin e pastaj trajneri i ri i cili do të vijë shumë shpejt, do t’i shohë lojtarët me të cilët do të paraqitet në Ligën e Kombeve. Besoj se me katër ndeshje mund ta shohë ekipin ku është”, ka shtuar kryetari i FFK-së.

Për Kosovën, shorti vjen pas një cikli të pasuksesshëm kualifikuese, atij për “Euro 2024”. Synim ishte kualifikimi në Evropian, por që mbeti ëndërr e largët. Ndeshjen e fundit Kosova e ka luajtur më 21 nëntor ndaj Bjellorusisë, ndërsa ka humbur 1:0 në Prishtinë. Pas asaj ndeshjeje, stadiumi “Fadil Vokrri” u mbyll.

Në Ligën B të Ligës së Kombeve është Shqipëria, që bën pjesë në vazon e tretë së bashku me Slloveninë, Irlandën dhe Malin e Zi.

Vazot për shortin e Ligës së Kombeve

 

Liga A

 

Vazo 1: Spanja, Kroacia, Italia, Holanda

 

Vazo 2: Danimarka, Portugalia, Belgjika, Hungaria

 

Vazo 3: Zvicra, Gjermania, Polonia, Franca

 

Vazo 4: Izraeli, Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Skocia

 

Liga B

 

Vazo 1: Austria, Çekia, Anglia, Uellsi

 

Vazo 2: Finlanda, Ukraina, Islanda, Norvegjia

 

Vazo 3: Sllovenia, Irlanda, Shqipëria, Mali i Zi

 

Vazo 4: Gjeorgjia, Greqia, Turqia, Kazakistani

 

Liga C

 

Vazo 1: Rumania, Suedia, Armenia, Luksemburgu

 

Vazo 2: Azerbajxhani, Kosova, Bullgaria, Ishujt Faroe

 

Vazo 3: Maqedonia e Veriut, Sllovakia, Irlanda e Veriut, Qipro

 

Vazo 4: Bjellorusia, Lituania/Gjibraltari, Estonia, Letonia

 

Liga D

 

Vazo 1: Lituania/Gjibraltari, Moldavia

 

Vazo 2: Malta, Andorra, San Marino, Lihtenshtajni