Sport

Ndeshje historike për Shqipërinë

Futbollistët kuqezi janë shprehur se do të japin maksimumin në ndeshjen e parë të Kampionatit Evropian

Shqipëria për herë të parë do të marrë pjesë në një Kampionat Evropian. Kjo është paraqitja e tyre historike, derisa ndeshjen e parë e kanë ndaj Zvicrës së shqiptarëve. Lojtarët kanë thënë se do të japin maksimumin dhe thonë se ky takim është special. Albinfo.ch ju sjell disa nga deklaratat e futbollistëve shqiptarë para kësaj ndeshje

Lorik Cana: “Gjithçka do të koncentrohet tek futbolli. Kemi arritur këtu me zemër dhe me organizim të mirë. Çdo lojtar do të jetë në nivelin e duhur . Në skuadër janë grumbulluar lojtarët më të mirë. Ekipi është përmirësuar në fazën e mbrojtjes dhe organizimit. Këto ishin dy armët tona kryesore drejt kualifikimit në EURO 2016. Disa lojtarë të Zvicrës janë shqiptarë dhe ka miqësi mes dy skuadrave, por në fushë jemi kundërshtarë. Taulanti dhe Graniti janë profesionistë dhe luftëtarë. Të dy do të luajnë për të fituar”.

Migjen Basha: “Edhe kur kam luajtur me Zvicrën kam ëndërruar gjithmonë që vesh fanellën e kombëtares. Mirëpo, tashmë ajo i përket së kaluarës. Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Lojtari i parë që braktisa Zvicrën? Po ndoshta kam thyer akullin sidomos pasi problemet me pasaportë u zgjidhën, por mendoj se është meritë edhe e federatës që kërkoi dhe bisedoi me lojtarë të tjerë. Zvicra ka shumë lojtarë të mirë në çdo repart. Ne i kemi analizuar shumë këto kohë dhe jemi munduar të gjejmë pikat e dobëta të tyre. Do të mundohemi t’i godasim pikërisht aty”.

Amir Abrashi: E pres me padurim ndeshjen me Zvicrën. Xherdan Shaqiri është një mik i mirë dhe takohemi shpesh. Unë njoh gjithashtu shumë nga kundërshtarët tanë. Kam luajtur për Zvicrën deri në U-21, pastaj nuk më ftuan më. Trajneri i atëhershëm, Ottmar Hitzfeld, më këshilloi që të prisja përfundimin e Kupës së Botës, pas të cilës do të kishte ndryshime në kombëtare. Por unë jam një person që i merr gjërat si t’i vijnë. Me Shqipërinë më shfaqej mundësia të ndërtoja diçka. Trajneri Gianni de Biasi ishte i aftë të më bindte për projektin dhe jam shumë i lumtur që vendosa të shkoj me Shqipërinë. Askush nuk e priste të kualifikoheshim. Kemi treguar se Shqipëria është zhvilluar. Mesfushori shtatshkurtër tregon se viziton vendlindjen e prindërve, Gjakovën, dhe se i pëlqen shumë, ndërsa në Shqipëri ka një simpati për qytetin e Sarandës. Pavarësisht kësaj, ai thotë se dëshiron që të jetojë gjithmonë në Zvicër. Unë jam krenar që jam shqiptar, por gjithashtu krenar që kam lindur në Zvicër. Është e vështirë ta shpjegoj pasi kam dy shtëpi. Gjaku është shqiptar, por shtëpia është në Zvicër. Kosova është atdheu i prindërve të mi. Unë kam shkuar shpesh në qytetin e tyre të lindjes, në Gjakovë, dhe më pëlqen. Në Shqipëri shkoj në det, sidomos në Sarandë, një qytet shumë i bukur bregdetar. Megjithatë, unë nuk do të kthehesha të jetoja në Kosovë. Nuk ka asgjë më të bukur sesa të jetosh në Zvicër, do të kthehem gjithmonë këtu. Zvicra më ka dhënë shumë, shkollimin, futbollin, do t’i jem gjithmonë mirënjohës.

Burim Kukeli: Është ndeshja e parë dhe vlen mbase edhe më shumë sesa të tjerat, pasi ndihmon shumë në rast se do të marrim një rezultat pozitiv. Për mendimin tim, Zvicra është një skuadër me kualitete dhe ka lojtarë që, përveç cilësive individuale, luajnë së bashku prej vitesh. Nuk i shoh si skuadër që shënojnë shumë gola si dhe në disa raste ata shfaqin edhe pasiguri në prapavijë. Për momentin, nuk kam kontakt me asnjë prej tyre. Unë jam rritur me Inlerin, por ai nuk është grumbulluar për këtë edicion. Lojtarët e tjerë i respektoj si çdo kundërshtar, por nuk është se kam kontakte apo miqësi. Është ndeshje shumë e veçantë për mua. Jetoj prej 29 vitesh dhe më është bërë si shtëpia ime. Kam krijuar miqësi të shumta dhe besoj që do të jetoj edhe në të ardhmen atje. Ama, në fushë, nuk ka vlerë asgjë prej tyre, pasi unë jam lojtar i Shqipërisë dhe mendoj vetëm që të fitoj.

Taulant Xhaka: “Do ta ndal Granitin. Nëse do të më duhet, do t’i shkaktoj edhe faull, vetëm që të mos na shënojë. Ai e di që ne jemi profesionistë dhe secili duhet të bëjë maksimumin për ekipin e tij. Graniti i merr gjërat me më shumë emocione sesa unë. Në familje? Mamaja bën tifo 100% për Zvicrën. Ka jetuar atje prej vitesh dhe i ka dhënë shumë ai vend. Babai është 50 me 50. Fakti që 150% e familjes bëjnë tifo për Zvicrën, më japin edhe më shumë kënaqësi nëse do të fitoj me Shqipërinë”.

Shkëlzen Gashi: “Takimi me Zvicrën do të jetë shumë emocionues, sepse i njoh të gjithë lojtarët kundërshtarë, por kur të bjerë bilbili do te jap maksimumin për t’i mundur. Me 4 lojtarë të Zvicrës kam luajtur te Baseli, i kam shumë miq. Është shumë e rëndësishme ta nisim mbarë me fitore, sepse do të kemi moral më të lartë. Shpresoj të grumbullojmë 7 pikë. Duhet të japim maksimumin në të 3 ndeshjet”.