X

Na ndiqni:

 Kosova

Ndërhyrjet e politikës bëjnë që Agjencia kosovare e Akreditimit të përjashtohet nga EQAR

Kjo ka ndodhur për shkak të vendimit që është marrë për shkarkimin e anëtarëve të Bordit dhe të menaxhmentit të Agjencisë së Akreditimit. Ndërkohë, të shumta kanë qenë reagimet lidhur me këtë çështje nga anë të ndryshme por jo edhe nga Ministria e Arsimit

 Ndërhyrja e  politikës, më saktë, e qeverisë aktuale, në arsim, ka bërë që Komiteti i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) të përjashtojë Agjencinë e Akreditimit të Kosovës.

Kjo ka ndodhur për shkak të vendimit që është marrë për shkarkimin e anëtarëve të Bordit dhe të menaxhmentit të Agjencisë së Akreditimit.

Në dokumentin e vendimit të EQAR-së, të cilin e ka siguruar Telegrafi thuhet se: “Komiteti i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) ka konstatuar se, si pasojë e shkarkimit të bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga ministri Shyqyri Bytyqi, agjencia më nuk është e aftë të veprojë në mënyrë të pavarur dhe nuk është më në një pozitë që merr “përgjegjësi të plotë për veprimet e veta”, siç kërkohet nga standardi 3.3 i ESG-së.
Komiteti i Regjistrimit nuk ka mundur t’i identifikojë rrethanat që e arsyetojnë shkarkimin nga ministri – shkarkim i cili ka pasur efekte të dëmshme në pavarësinë dhe aftësinë e Bordit për të funksionuar pa pasur rrezik serioz të ndikimit nga palët e treta”.
Në pikën 6 të këtij dokumenti ku sqarohet më tej vendimi i EQAR-së për përjashtimin e Agjencisë të Akreditimit, theksohet se ky institucion ka të drejtë të ankohet për këtë vendim në Komitetin e Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.
“Duke marrë parasysh gjërat e lartcekura, Komiteti i Regjistrit ka konstatuar se Bordi më nuk është në përputhje me standardin 3.3 të ESG-së. Si rrjedhojë e kësaj, kriteret për t’u përfshirë në EQAR më nuk janë të përmbushura dhe Komiteti ka vendosur ta përjashtojë Agjencinë e Kosovës për Akreditim nga ky regjistër.
Agjencia e Kosovës për Akreditim e ka humbur aftësinë për të vepruar si e pavarur (pra ndalon së përmbushuri standardin 3.3 të ESG-së) me vendimin e ministrit për shkarkimin e Bordit me datën 25 shtator 2017.

Agjencia e Kosovës për Akreditim ka të drejt të ankohet në Komitetin e Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë në përputhje me procedurat e apelit”, thuhet në vendimin e EQAR-së.

Ndërkohë, të shumta kanë qenë reagimet lidhur me këtë çështje nga anë të ndryshme por jo edhe nga Ministria e Arsimit, shkruan indeksonline.

Një nga personat që ka reaguar lidhur me përjashtimin e AKA-së nga EQAR, është ish-drejtori i Drejtorisë së Arsimit në komunën e Prishtinës, Jusuf Thaçi. Sipas tij, kjo nënkupton që diplomat e arsimit të lartë nga universitetet publike a private, mund të mos njihen.

Thaçi ka kërkuar përgjegjësi nga institucionet e vendit, duke thënë se Qeveria dhe MAShT-i duhet të marrin masa të menjëhershme për të rikuperuar dëmin e madh në arsim.

“Përjashtimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) është vërtet goditje e rëndë për arsimin e lartë të Kosovës dhe për institucionet e arsimit të lartë publike e private të Kosovës. Ky përjashtim i AKA-s nga EQAR mund të ketë pasoja të mëdha për arsimin e lartë të Kosovës. Pas këtij vendimi, AKA më nuk shihet si kredibile nga institucionet simotra evropiane e ndërkombëtare, rrjedhimisht diplomat që lëshohen nga institucionet e arsimit të lartë të Kosovës, publike e private, mund të mos njihen si kredibile apo edhe mund të kontestohen e të mos pranohen nga universitete e shtete të ndryshme evropiane e ndërkombëtare. Ky është një prapakthim i pafalshëm në fushën e arsimit të lartë të Kosovës dhe institucionet e vendit duhet dhënë përgjegjësi për këtë. Veç kësaj, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit duhet urgjentisht të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme që të rikuperohet ky dëm i madh për arsimin e lartë të vendit. Në të njëjtën kohë, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit duhet ta kuptojnë qe po qe se dëshirojmë të bëhemi pjesë e botës së qytetëruar, atëherë duhet të sillemi sipas parimeve, standardeve e rregullave që kërkon qytetërimi”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook, transmeton Indeksonline.

 

 


Reklamë
Reklamë
X

Abonohu në revistën tonë