Kosova

Monografi kushtuar jetës dhe veprimtarisë të Akademik Gazmend Zajmi, botuar më 2023 nga autori NUHI BYTYÇI

E di që të shkruarit e një kritike për një monografi nevojitet një qasje analitike dhe shumë e menduar. Po të shkruash për një monografi që paraqet veprën kolosale të një protoganisti me përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare, nevojitet një këndvështirm i shumë anshëm që autori Nuhi Bytyçi e ka zbërthyer në formën më të mirë. Qasja për jetën dhe veprën e Akadamik Zajmit është një qasje që Autori Bytyçi na bën të udhëtojmë në kohë dhe hapësirë.

Një pjesë të madhe të kohës që Akademik Zajmi ka punuar, autori Bytyçi e ka të «kapur» e të jetuar me punën, me angazhimin dhe me veprimtarinë e pandalur gjysmëshekullore. Dhe ky përshkrim kohor i autorit Bytyçi na paraqitet në atë menyrë të qartë që bën lexusin të jetojë e ta përjetojë, e sidomos të kuptojë shumë mirë rrethanat politike, shoqërore dhe kontekstin e veprimtarisë së Akademik Zajmit.

Autori Bytyçi të ndalet në kohën që shumë suksese në fushën akademike kur filloi së vepruari Universiteti i Prishtinës dhe që lidhen me veprën madhore të të madhit Akademik Zajmi. Autori Bytyçi duke qenë si fanar i orientimit kohor, na jep mundësinë të dëgjojmë rrëfimet e shumë personaliteteve publike, të kolegëve, të ish-studentëve, të familjarëve që tregojnë biografinë, për punën, për kontaktet, për sukseset, për vështirësitë, për krenarinë, për presionin që kishte Akademik Zajmi. Janë rrëfime objektive që autori Bytyçi i sjell lexuesit me një qasje reale që lexuesi arrin të ndiejë, të përjetojë dhe të jetojë sikur të ishte në kohën e tashme. Autori Bytyçi bën që lexuesi të kuptojë rrethanat në të cilat akademik Zajmi arrin që në një periudhë të shkurtër kohore si profesor, prorektor e rektor i Universitetit të Prishtinës të arrijë të ketë suksese. Suksese që lidhet në konsulidimin e kuadrove të Universitetit të Prishtinës, hapjen e shumë fakulteteve dhe të rritjes të numrit të studentëve shqiptarë. Autori Bytyçi të gjitha këto suksese i radhit në mënyrë kronologjike, duke arritur të na tregojë në përpikëri duke lënë hapësirë për përshkrime të rrethanave që i kanë paraprirë të gjitha sukseseve dhe që në shumicën e rasteve lidhen me veprimtarinë e Akademik Zajmit.

Autori Nuhi Bytyçi e bën lexuesin të udhëtojë në hapësirë, duke bërë përshkrime të rrugëtimit të Akademik Zajmit në hapësira shqiptare, të shkollimit në hapësirë të ish-Jugosllavisë dhe të suksesit në arenën kombëtare e ndërkombëtare, duke përfaqësuar denjësisht Universitetin e Prishtinës me kontakte e me marrëveshje të mirëfillta ndëruniversitare.

Autori Bytyçi, duke përshkruar ketë hapësirë të veprimit të Akademik Zajmit, i sjell lexuesit përjetimet që kanë bashkudhëtarët e Akademik Zajmit. Vlen të përmendet përshkrimi i motivimit të një profesori të njohur nga Universitetit i Tiranës për të dhënë mësim në Universitetin e Prishtinës pas nënshkrimit të marrëveshjes të bashkëpunimit në mes të Universitetit të Prishtinës me  Universitetin Shtetëror të Tiranës:

“Në të ftohtë e dëborë, që të ngrinte flokët, të mpinte gishtat, edhe rrugët pse ishin të pashtruara e me akull dhe kishte shumë vështirësi në komunikacion…, por kur niseshim për Kosovë, për të dhënë mësim në Universitetin e Prishtinës, të gjitha vështirësitë, të gjitha rrugët ishin të hapura dhe bora shkrinte përballë motivit tonë kombëtar, sepse vinim me dashuri e vullnet për të dhënë mësim në ngritjen dhe përgatitjen arsimore të brezit të ri në Kosovë. Kosova ishte ëndrra jonë, qëllimi ynë kombëtar, misioni i brezit tonë atëherë, në atë kohë”.

Pas suksesit në bashkëpunimit hapësinor shqiptar, Autori Bytyçi i sjell lexuesit sukseset në arenën ndërkombëtare të Universitetit të Prishtinës, duke vënë në pah gjithë punën e Akademik Zajmit. Autori Bytyçi sukseset e Akademik Zajmit i lidh me sukseset e Kosovës dhe të kombit shqiptar. Sukseset e Akademik Zajmit radhiten sikur gurët e vegjël të rregulluar në mënyrë harmonike, e që me largim në distancë kohore e hapësinore shohim që këta gurë të vegjël paraqesin një mozaik të sukseseve.

Për të treguar anën e gjithanshme të Akademiku Zajmit, Autori Bytyçi nëpërmjet dëshmive të shumë personaliteteve na sjell edhe momente të bukura e të suksesshme.  Autori kujton një moment shumë interesant, kur gjatë mbajtjes së Konferencës së rektorëve të Universiteteve të ish-Jugosllavisë dhe të rektorëve të universiteteve të Republikës Demokratike Gjermane në Ohër të Maqedonisë Veriore, në shtator të vitit 1980:

“Pasi e kryem drekën, atmosfera ishte e këndshme. Më kujtohet kur Rektori i Universitetit të lirë të Berlinit iu ofrua pianos dhe luajti një melodi klasike. Pas gjysmë ore rektori Gazmend Zajmi iu ofrua pianos dhe ekzekutoi shkëlqyeshëm një melodi shqipe dhe një simfoni të Betovenit, babait të muzikës klasike. Ai u paraqit vërtet në stilin madhështor. I mahniti të pranishmit dhe la përshtypje të jashtëzakonshme te kolegët gjermanë si njeri, intelektual i gjithanshëm. Të gjithë u befasuan me këtë. Atmosfera me këtë reast u bë gazmore dhe e paharruar… »

Këto suksese pengohen, luftohen nga Serbia, por Akademik Zajmi, mbetet stoik në rrugëtimin dhe qëllimin e vet. Ashtu i pamposhtur dhe i lidhur me idealet e veta dhe me fatin e Kosovës, nuk dorëzohet dhe autori Bytyçi na sjell angazhimin e Akademik Zajmit edhe në rethanat më të vështira të Kosovës dhe të Akademik Zajmit, duke na paraqitur angazhimin për minatorët gjatë grevës së tyre në horizontet e nëntokës së Stan Tërgut më 20 shkurt 1989. Akademik Zajmi u drejtohët minatorëve: »Shokë minatorë të “Trepçës” dhe minatorë të mbarë Kosovës, në lumin e gjerë të solidaritetit me Ju, pranoni edhe zërin tim modest prej individi, prej akademiku e kompozitori, të solidaritetit dhe të lutjes për shpëtimin e shëndetit dhe të jetës Suaj që është pakrahasimisht, pakrahasimisht më e shtrenjtë se e tërë korja e mbufatur politike e këtij nënqielli dhe e tërë rruzullit…»

Monografia e autorit Bytyçi është e kompletuar me cilësi të lartë hulumtimi. Intervistat e shumta, fotografitë, dëshmitë arkivore, dokumente, artikuj të shumtë e bëjnë monografinë me një qartësi të lartë të argumentuar në mënyrë objektive dhe me një stil të veçantë të shkrimit.

Monografia për Akademik Zajmin e autorit Nuhi Bytyçi bën që të ketë komunikim mes gjeneratave për njohje të rrethanave, të personaliteteve, të punës kolosale që është bërë që së pari Kosova të shpalosë identitetin e vet shqiptar, të përgatiten kuadrat që të besojnë në vetvete. Të ketë bazë juridike për kushtetutshmërinë e Kosovës dhe që Ushtria e Çlirimtare të Kosovës të realizojë luftën më të lavdishme të kombit shqiptar për liri e pavarësi.

Për më shumë:
https://www.albinfo.ch/gazmend-zajmi-nje-jete-per-kosoven-sjell-portretin-e-intelektualit-te-permasave-boterore/