Portrete të firmave
Mobiliteti i së ardhmes, përgjegjësi dhe inovacion në AMAG Group AG
" Njerëzit mendojnë se industria e automobilave ka të bëjë vetëm me vetura, në fakt gjithçka nis dhe mbaron me njerëzit, me ekipin dhe klientin ", thotë Veprim Haliti, zëvendësdrejtor i rrjetit të AMAG në veri perëndim të Zvicrës
Veprim Haliti, me rrënjë nga Lugina e Preshevës udhëheq sot regjionet në Baden/Wettingen dhe Muttenz/Kleinbasel në kompaninë AMAG, ku menaxhon rreth 150 të punësuar dhe katër lokacione të mëdha të grupit.
Si zëvendësdrejtor i rrjetit të AMAG në Veri-Perëndim të Zvicrës, ai përfaqëson një qasje moderne dhe të përgjegjshme ndaj mobilitetit.
“Njerëzit mendojnë se industria e automobilave ka të bëjë vetëm me vetura, në fakt gjithçka nis dhe mbaron me njerëzit, me ekipin dhe klientin”, thotë Haliti.
Karriera e tij filloi në projektmenaxhim dhe IT, ku kishte udhëhequr projekte të shumta dhe punoi për optimizimin e proceseve. Automobilizmi e tërhoqi edhe më herët, rrëfen për albinfo.ch, Veprim Haliti për shkak të dinamikës, teknologjisë dhe kontaktit të drejtpërdrejtë me klientët.
Gjatë viteve, Haliti mori disa pozita udhëheqëse, si drejtor i shitjeve për SEAT & ŠKODA, e më pas si drejtor i lokacioneve të AMAG në Pratteln, Liestal, Rheinfelden, Muttenz dhe Kleinbasel. Që nga janari 2025, ai udhëheq dy regjione njëkohësisht , një sfidë që kërkon përkushtim të madh.
” Dy regjione do të thonë dy ritme, dy kultura, por një vizion i vetëm: t’i shërbejmë klientit më mirë çdo ditë “, thekson ai.
AMAG – më shumë se një treg veturash
AMAG është një nga liderët e tregut zviceran në fushën e automobilave, me marka të fuqishme si Volkswagen PW, Audi, SEAT, CUPRA, ŠKODA dhe VW Nutzfahrzeuge. Kompania ofron edhe automjete të përdorura nga të gjitha markat, shërbime të mirëmbajtjes, riparimeve, si dhe punime profesionale të karrocerisë dhe lyerjes.
” Mobiliteti nuk është vetëm shitje makine; është përvojë, është siguri, është besim “, shton Haliti.
Filozofia e tij e menaxhimit: qartësi, komunikim dhe besim
Veprimi e përkufizon veten si lider të orientuar drejt njerëzve dhe performancës. Ai nënvizon rëndësinë e komunikimit të hapur, zhvillimit të stafit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të proceseve.
” Udhëheqja moderne do më pak urdhra dhe më shumë dëgjim. Kur ekipi ndihet i përfshirë, rezultatet vijnë vetë “, thotë ai.
Në kërkim të talenteve të rinj, Haliti vlerëson angazhimin, përgjegjësinë personale dhe frymën ekipore.
Konsumatori sot: i informuar, kërkues dhe digjital
Sipas Halitit, sjellja e klientit zviceran ka ndryshuar dukshëm pas pandemisë: kontaktet digjitale, proceset transparente dhe fleksibiliteti janë bërë standard. Kërkesa më e madhe është për SUV-e dhe modele elektrike ose plug-in.
” E ardhmja është elektrike. Ne po investojmë fort që të jemi gati jo vetëm për sot, por për dhjetë vitet në vijim “, deklaron Veprimi në këtë intrevistë për albinfo.ch.
Një mesazh për të rinjtë – sidomos ata shqiptarë në Zvicër
Veprim Haliti nuk e fsheh krenarinë për rrënjët e tij dhe shpesh jep këshilla për të rinjtë e komunitetit shqiptar.
” Punoni fort, mos kini frikë nga përgjegjësia dhe mos e humbni kurrë kuriozitetin. Suksesi vjen nga këmbëngulja, jo nga fati “, shprehet ai.
Kush është Veprim Haliti
Veprim Haliti (1985), i martuar dhe baba i katër fëmijëve është menaxher i lartë në industrinë automobilistike zvicerane, aktualisht drejtor rajonal i AMAG për Baden/Wettingen dhe Muttenz/Kleinbasel, si dhe zëvendësdrejtor i rrjetit të AMAG në Veri-Perëndim të Zvicrës, ku udhëheq 150 punonjës dhe katër lokacione. Me mbi 15 vite përvojë, ai ka mbajtur disa pozita udhëheqëse – nga projektmenaxhimi dhe rolet në IT, te drejtimi i pesë lokacioneve të AMAG dhe menaxhimi i markave SEAT & ŠKODA. Haliti ka përfunduar një EMBA, një MAS në Psikologji të Biznesit, si dhe disa kualifikime të tjera të larta në menaxhim dhe shitje. Është aktiv në komunitet, anëtar i shoqatave lokale të biznesit, ish-trajner futbolli dhe ekspert i provimeve në industrinë automobilistike
Të tjera nga Portrete të firmave
E-Diaspora
-
Rame Lahaj dhe Fondacioni Rame Lahaj, zëri botëror në shërbim të një misioni kombëtar Lahaj flet për rrugëtimin e tij drejt skenave më prestigjioze ndërkombëtare, për Fondacionin Rame Lahaj si... -
Magazina albinfo.ch pranë lexuesit – edhe mbi re, me Chair Airlines -
Londër
Diaspora dhe institucionet britanike mbështesin Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë me manuale klinike -
Francë
Lea Ypi mbajti leksionin inaugurues në Collège de France më 12 shkurt 2026 -
Paris
Komuniteti shqiptar organizon festë për Pavarësinë e Kosovës në Paris
Jeta në Austri
-
I papunë në pushime, AMS me gjoba të ashpra Vitin e kaluar pati 162,391 sanksione nga AMS. Përfitimet e papunësisë dhe ndihma emergjente u anuluan... -
Vjenë
Ministrja Spiropali e ftuar nderi në mbrëmjen tradicionale të Operës në Vjenë -
75,000 euro të marra nga kasaforta në Vjenë, vjedhja e shpikur -
Raporti i Eurostat: Çmimet e shtëpive në BE janë rritur me 53% që nga viti 2010 -
Austri: Këto cigare po bëhen më të shtrenjta












