Me ftesë të Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, më 24 janar 2015 Mjeshtri i Madh i teatrit dhe kinematografisë shqiptare Z. Mirush Kabashi do ta sjellë në skenën e “Theatre Salle Centrale Madeleine” të Gjenevës , monodramën ”Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”
Kjo novelë e dramatizuar e shkrimtarit dhe filozofit francez me origjinë hebreje Eric Emmanuel Schmitt, është përkthyer në tridhjetë gjuhë të botës. Shkrimtari dhe filozofi Schmitt nëpërmjet kësaj novele të shkurtër por me vlerë të veçantë artistike tregon shpirtin e tij human duke bërë thirrje për tolerancë e mirëkuptim në mes komuniteteve dhe grupeve fetare. Si e tillë dhe me mesazhe krejt të qarta kjo dramë me monolog përveç teatrove u ndoq edhe në sallat e kinemave. Më 2003 regjisori i njohur francez François Dupeyron e realizon filmin me të njëjtin titull, në të cilin interpretuan aktorë të famshëm si: Omar Sharif (në rolin e Zotit Ibrahim) Pierre Boulange(Momo) dhe Gilbert Meliki (në rolin e babait të Momos) Një vit më vonë kjo monodramë e begatuar me vlera të reja i dhuroi Z.Schmitt edhe një nderë të madhe në Festivalin e Filmit të mbajtur në Gjermani.
Monodrama ”Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” e shndërruar në film në këtë manifestim të madh të artit dhe të kulturës u shpërblye me trofeun si filmi më i mirë. Popullariteti i madh i saj bëri që ajo të vihet pothuajse në të gjitha skenat e botës. Monodrama “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” i solli edhe yllit hollivudian Omar Sharif shpërblimin me “Çmimin e Paqes” nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Aktori ikonë i filmit në botë u nderua me këtë çmim falë interpretimit autentik të Zotit Ibrahim. Këtë vepër tashmë të cilësuar si një nga monodramat më të njohura në botë, e mori guximin që në Gjuhën Shqipe ta prezantojë artisti i merituar, Mirush Kabashi.
Kabashi guximplotë dhe me besim në vete monodramën ”Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” e ka kthyer në shqip, duke ruajtur hëpërhë origjinalitetin e saj. Kjo monodramë është pëlqyer dhe mirëpritur në të gjitha hapësirat ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët. Mjeshtri i madh i skenës dhe kinematografisë shqiptare Mirush Kabashi ka një bagazh të pasur në fushën e aktrimit. Mbi njëqind kryerole në teatër dhe dhjetëra të tjerë në kinematografi kanë bërë që ai të dalë vazhdimisht i suksesshëm. Puna plot dashuri e përkushtim ndaj profesionit e ka ngjitur Kabashin në top listën e aktoreve më të famshëm edhe jashtë trojeve shqiptare.
Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, aktori Mirush Kabashi, është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës. Shkëlqimin e Kabashit në skenat vendore dhe ato botërore më, 1998 e ka shpërblyer edhe ish-Presidenti i Republikës se Shqipërisë Prof.dr. Rexhep Mejdani, duke i ndarë mirënjohjen ”Mjeshtër i Madh i Punës”. Kurse më, 1999 Mirush Kabashi përsëri në Kajro në një konkurrencë jashtëzakonisht të fortë ka fituar “Medaljen e Karrierës”.
Jo vetëm kaq Kabashi, ka marrë mirënjohje dhe dekorata të tjera edhe në Bullgari e vende të ndryshme të botës. Me lojën e tij të mrekullueshme ai, në të njëjtën kohë e bënë shikuesin të qajë e të qeshë. Prandaj mërgimtarët tanë në Gjenevë, dhe Zvicër, e kanë rastin që fillimin e vitit 2015 ta nisin me një ngjarje tejet të rëndësishme kulturore. Ata që vërtetë janë artdashës që tani mund të fillojnë me rezervimin e biletave për monodramën ”Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” interpretuar nga aktori i njohur Mirush Kabashi.
Rezervimi i biletave për këtë ngjarje kulturore në: [email protected] kurse hollësitë e tjera në Info: www.cageneve.ch.
Arif Ejupi