E-Diaspora

Minstri Kurz viziton klubin “Loco” në Vjenë, me pronar shqiptar

 

Klubi rinor “Loco”  është një nga klubet më të preferuar të studentëve në Vjenë.  Mikpritja e mirë dhe atmosfera që zhvillohet në këtë klub me traditë tashmë 10 vjeçare, e bën atë ta vizitojnë studentë nga e gjithë bota të cilët jetojnë në Vjenë të Austrisë.  Ditë më parë këtë klub e ka vizituar edhe ministri i Jashtëm dhe i Integrimit në Austri, Sebastian Kurz. Për këtë vizitë shkroi edhe gazeta austriake “Heute.at”.

Megjithatë, për pronarët e këtij klubi, Ismet Krasniqin dhe Agron Hoxhën, vizita e Kurz-it nuk ishte hera e parë.

“Ministri Kurz është myshteri i yni ndoshta prej shtatë vitesh. Ai ka vizituar klubin tonë edhe në kohën kur ishte vet studentë.”, thotë njëri nga pronarët, Ismet Krasniqi për “albinfo.ch”.

Sipas Krasniqit vizita e tij është një respekt për klubin i cili shpesh herë është përzgjedhur në klubet me të preferuara për studentë në Vjenë.

“Ne jemi të lumtur për vizitën e ministrit Kurz, kjo na bën që të punojmë edhe më shumë kur ne mesin e myshtërive kemi edhe mysafirë si ministri Kurz apo politikanë të tjerë austriak”, shprehet ai.

Pavarësisht se ministri Kurz është sot një politikan, në jetën e përditshme është një person shumë i thjeshtë dhe i shoqërueshëm.

“ Përveç vizionit të tij si politikan, thjeshtësia e tij e ka bërë që ai të jetë nder politikanët më të preferuar në Austri, veçanërisht tek të rinjtë. Ne jemi takuar disa herë më të, dhe kur bisedon në jetën e përditshme ai parapëlqen që ta thërrasësh në emër dhe jo në mënyrë zyrtare”, tregon Krasniqi.

Ai tha se së bashku me stafin e tij do të mundohen ta vazhdojnë traditën e mirë edhe për shumë vite në të ardhmen!

Albinfo.ch