Lajme

Miliarda për të ulur me 2 gradë nxehtësinë vdekjeprurëse

Me ndryshimet aktuale që po bëhen në politikën për klimën po jepen miliarda për përballimin e nxehtësisë vdekjeprurëse. Ndërkohë një rrjet botëror ekspertësh për klimën po merren me këtë problem në qytetet e tyre.

Rreth 2 miliardë njerëz do të jetojnë në fund të këtij shekulli në kushte temperaturash të larta dhe të rrezikshme, nëse politikat për klimën vazhdojnë me trajektoret aktuale, thotë një studim i ri publikuar në revistën Nature Sustainability. Shifra do të përbëjë 23 për qind të popullsisë që mendohet të ketë bota atë kohë.

Nëse klima ngrohet më shumë se sa mendohet, një skenar i mundshëm ky mes politikave aktuale, atëherë jo 2, por 3,3 miliardë njerëz do të përballen në fund të shekullit me temperatura ekstreme.

Studimi i kryer nga shkencëtarë të Universitetit të Exeter-it në Britaninë e Madhe dhe Universitetit Nanjing në Kinë, thotë se 60 milionë njerëz jetojnë qysh tani në nivele të rrezikshme temperaturash, që karakterizohen nga mesatarja 29 gradë celsius (84,2 gradë Fahrenheit) ose më shumë.

Si e dëmtojnë temperaturat e larta shëndetin e njeriut? 

Nxehtësia ekstreme mund të shkaktojë një seri sëmundjesh si dhe vdekje, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Kjo ka të bëjë me goditjet nga të nxehtit dhe hiperthermia. Temperaturat e larta keqësojnë po ashtu sëmundjet kronike dhe kanë efekt direkt në transmetimin e sëmundjeve, cilësinë e ajrit dhe infrastrukturën jetike.

Të moshuarit, foshnjat dhe fëmijët, gratë shtatzëna, punonjësit që punojnë jashtë dhe kryejnë punë krahu, atletët dhe të varfërit janë veçanërisht të rrezikuar nga temperaturat e larta.

Sipas këtij studimi, ulja e temperaturave të synuara nga marrëveshja e Parisit, me 1,5 gradë Celsius mbi nivelin e temperaturave të periudhës paraindustrialedo të lerë në fund të shekullit ende 400 milionë njerëz të ekspozuar në temperatura të niveleve të rrezikshme.

Njerëzit që jetojnë në Indi, Sudan dhe Nigeri do të jenë në ndikimin e madh të temperaturave të larta edhe me uljen 1,5 gradë, kurse ulja me 2,7 gradë e temperaturave do të ketë ndikim të madh për vendet si Filipine, Pakistan dhe Nigeri.

Llogaritja e kostove njerëzore të ndryshimit të klimës

Shkencëtarët thonë se studimi i tyre shënon moment kthese në tendencën për ta parë ndikimin e klimës më shumë në aspektin ekonomik se sa në aspektin njerëzor. “Këto tendenca shkatërrojnë në mënyrë pakthyeshme vlerat duke i larguar nga jeta njerëzore dhe duke i përqëndruar tek pasuria,” i tha Deutsche Welles Ashish Ghadiali, një aktivist në mbrojtje të klimës dhe bashkëautor i studimit, që shton se krijimi i modeleve që fokusohen tek ekonomia “ka më shumë vlerë për jetën në Nju Jork se sa për jetën në Bangladesh.”

Pjesa më e madhe e modeleve të tjera të studimit e vendosin prioritetin tek popullsia në ditët aktuale dhe jo tek popullsia në ditët e ardhshme, dhe pabarazitë në ngrohjen globale do të jenë kështu “të përhapura si globalisht, ashtu edhe të transmetuara nga njëri brez tek tjetri,” thotë Ghadiali.

“Në thelb këto modele i japin vlera më të mëdha jetës sime, se sa të fëmijëve të mi dhe sigurisht jetës së nipërve dhe mbesave,” thotë ai. Nëse sheh se si ndikojnë vende të caktuara në nivelet e larta të nxehtësisë, shkencëtarët thonë se emisionet aktuale të dioksidit të karbonit të prodhuara nga 1,2 qytetarë të zakonshëm amerikanë, mjaftojnë për ta dënuar njeriun e ardhshëm të jetojë në nxehtësi ekstreme.

Pavarësisht nga emetimi joproporcional i dioksidit të karbonit, popullsia e SHBA është më pak e rrezikuar nga temperaturat e rrezikshme.

Si mund të mbrohen njerëzit nga temperaturat e larta? 

Studimet e mëparshme kanë treguar se qytetet janë shumë më të prekura nga rritja e temperaturave, për shkak të “efektit të ishujve të ngrohjes”. Ndërtesat, rrugët dhe infrastruktura e absorbojnë dhe rrezatojnë nxehtësinë e diellit më shumë se sa ambienti natyror si pyjet dhe ujrat, duke shkaktuar rritje të temperaturave urbane nganjëherë deri 15 gradë Celsius më shumë se sa temperaturat e zonave rurale.

Qytetet në vende të ndryshme të botës janë duke përcaktuar role të reja për ekspertët që merren me ngrohjen, duke i dhënë detyrë që të luftojnë rritjen e pashmangshme të temperaturave. Një prej tyre është Cristina Huidobro, e cila e ka marrë këtë detyrë për kryeqytetin e Kilit, Santiago, në mars të 2022. “Shumë qytete të botës përballen me ngrohjen ekstreme, por zgjidhjet dhe mënyra se si merren ato me këtë problem janë shumë, shumë lokale,” i tha Huidobro Deutsche Welles.

Megjithatë, thotë Huidobro, të gjitha qytetet ndjekin gjerësisht strategjinë me tri pika: përgatitjen, ndërgjegjësimin dhe adaptimin.

Përgatitja ka të bëjë me kategorizimin e valëve të nxehtësisë në të njëjtën mënyrë që bëhet për katastrofat e tjera natyrore, ose krijimin e sistemit të alarmit për të rritur përgjegjësinë e qytetit.

Huidobro thotë se ndërgjegjësimi është pjesë përbërëse e këtij roli. “Kujdesi për veten gjatë nxehtësive ekstreme është shumë i thjeshtë, pi ujë, shko në hije dhe pusho,” thotë ajo. “Askush nuk duhet të vdesë nga nxehtësia ekstreme.”

Pika e tretë është adaptimi i qyteteve me realitetin e ri, me temperaturat e larta, duke krijuar më shumë hapësira të gjelbërta në qytet.

Santiago sapo ka filluar një projekt për ripyllëzimin urban, gjatë të cilit do të mbillen 30 mijë pemë në gjithë qytetin dhe do të zhvillohen strategji që e trajtojnë pemën si pjesë të infrastrukturës urbane.

“Pemë, pemë, pemë kudo. Ato sjellin më shumë gjelbërim në qytet,” thotë Huidobro.

Po mbjellja e pemëve nuk është aq e lehtë sa mendojnë njerëzit. “Ne jemi duke futur pemët në rrugë vërtet të ngjeshura, si përshembull në rrugët kryesore të qytetit që janë mbushur me beton. Ju duhet të gërrmoni një gropë dhe të bëni ca punë civile për të mbjellë pemët.”

Po ashtu kjo nuk është zgjidhje e shpejtë e çështjes së nxehtësisë urbane, sepse pemët duan kohë të rriten.

“Ideja është që të mbillet pema që do të bëjë hije pas 20 ose 30 vjetësh,” thotë Huidobro./DW