Integrimi

Mësimi plotësues në gjuhën shqipe, në udhëkryq

LAPSH e Kantonit të Cyrihut ka 46 pika shkollore me mësim plotësues në gjuhën shqipe, ku japin mësim 13 mësues dhe ndjekin mësime rreth 480 nxënës

Në ditën e tretë të “Javës së Kulturës Shqiptare në Zvicër”, që po mbahet në Seebach të Cyrihut, është bërë prezantimi i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë të Kantonit të Cyrihut (LAPSH). Po në këtë ditë është zhvilluar edhe një debat dhe prezantim i krijuesve letrarë që krijojnë në Zvicër.

 

Në kuadrin e prezantimit të LAPSH-it në një stendë ishin vendosur broshura, libra dhe shkresa të ndryshme me informacione për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në këtë kanton dhe në gjithë Zvicrën.

Mësuesit dhe drejtuesit e kësaj organizate, nënkryetari Gëzim Kasumaj, sekretarja Afërdita Veliu dhe mësuesja Sabahate Krasniqi, të udhëhequr nga kryetari Naser Ulaj, janë vënë në dispozicion të të interesuarve për punën dhe ofertën e LAPSH-it, shkruan albinfo.ch. Ata kanë prezantuar aktivitetet që po zhvillojnë aktualisht dhe gjendjen në të cilën është mësimi plotësues në gjuhën shqipe në kanton.

Në vazhdim, kryetari i LAPSH-it në nivel kantoni, mësuesi Naser Ulaj është paraqitur para publikut me një fjalë spontane për ta prezantuar veprimtarinë e zhvilluar ndër vite, për arsimimin e fëmijëve në gjuhën shqipe, në Kantonin  e Cyrihut.

Në fjalën e tij, z. Ulaj ka folur për 30-vjetorin e LAPSH-it, i cili ishte në vitin 2020 dhe, për shkak të panedemisë “kaloi pa u vërejtur”.

Më tutje ai ka nënvizuar se LAPSH-i i Kantonit të Cyrihut aktualisht udhëheq 46 pika shkollore me mësim plotësues në gjuhën shqipe, ku japin mësim 13 mësues. Janë rreth 480 nxënës që ndjekin mësimet në këto pika shkollore, numër tepër i vogël ky kur dihet se janë së paku 13.000 fëmijë shqiptarë të moshës shkollore në këtë kanton.

Nisur nga kjo, ai ka apeluar te prindërit shqiptarë që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë, sepse kjo është mënyra më e mirë për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës amtare, shkruan albinfo.ch. Ulaj ka siguruar me këtë rast, përmes prezantimit të të dhënave shkencore të publikuara nga studiues zviceranë se mësimi në gjuhëm amtare jo vetëm që nuk dëmton, por ai e shton kompetencën gjuhësore të nxënësve në mësimin e rregullt, në gjuhën e vendit.

Ai ka njoftuar po ashtu se dëftesa që u jep LAPSH nxënësve që kanë ndjekur mësimin në pikat shkollore në Kantonin e Cyrihut njihet plotësisht nga autoritetet e këtushme arsimore dhe vlerësohet si aftësim për zotërimin e gjuhës së katërt nga nxënësit, shkruan albinfo.ch. Kantoni i Cyrihut është i vetmi ku njihet kjo dëftesë, ka nënvizuar Ulaj.

Në debat ka marrë pjesë edhe konsullja nga përfaqësia konsullore e Republikës së Kosovës në Cyrih, zonja Shukrije Ramadani, e cila edhe vetë ka qenë mësuese në mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Kantonin e Cyrihut.

Pas fjalës së kryetarit të LAPSH-it, ishte me interes përfshirja në debat e ish-nxënësve të mësimit plotësues në gjuhën shqipe, të cilët treguan për përvojat e tyre pozitive nga ky mësim. Ata u shprehën se falë mësimit shqip, kishin qenë në gjendje të përvetësonin më mirë mësimin në gjuhën gjermane, në shkollën e rregullt.