Lajme
Mbi 90 të vrarë në Kabul, në mesin e tyre 13 ushtarë amerikanë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u zotua se do të hakmerret kundër grupit militant Shteti Islamik, pasi sulmet e tij vetëvrasëse jashtë aeroportit të Kabulit vranë së paku 13 ushtarë amerikanë dhe dhjetëra afganë.
Ministria e Shëndetit Publik e Afganistanit tha se mbi 90 vetë u vranë në sulmet e së enjtes.
Ato ndodhën vetëm pak ditë para afatit të 31 gushtit për tërheqjen e trupave të huaja nga Afganistani.
“Nuk do të falim. Nuk do të harrojmë. Do t’ju kapim dhe do t’ju bëjmë të paguani”, tha Biden në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë.
Ai tha se forcat amerikane do ta shënjestrojnë Shtetin Islamik Khorasan në një kohë dhe vend të zgjedhur prej tij. Shteti Islamik Khorasan është dega e grupit ekstremist në Afganistan dhe Pakistan, e cila ka marrë përgjegjësinë për sulmet në aeroportin e Kabulit. Dega është rivale e talibanëve.
“Unë gjithashtu kam urdhëruar komandantët e mi të zhvillojnë plane operacionale për të goditur pasuritë, udhëheqjen dhe objektet e Shtetit Islamik Khorasan”, tha Biden.
Shtetet e Bashkuara kanë koordinuar me talibanët evakuimet e qytetarëve të huaj dhe afganë, që kur kryengritësit kanë marrë kontrollin e Afganistanit, më 15 gusht.
Sulmet terroriste nuk do t’i pengojnë Shtetet e Bashkuara nga misioni i tyre për të evakuuar nga Afganistani mijëra qytetarë amerikanë, aleatë dhe afganë në rrezik, tha Biden.
“Ne nuk do të pengohemi nga terroristët. Nuk do t’i lejojmë ata të ndalojnë misionin tonë. Ne do të vazhdojmë evakuimin”, tha Biden, duke shtuar se mbi 100,000 njerëz janë larguar nga Afganistani vetëm në 12 ditët e fundit.
Biden konfirmoi se trupat amerikane do të largohen nga Afganistani më 31 gusht dhe shtoi se ka mjaft kohë në ditët e ardhshme për të përfunduar evakuimet.
Rreth 1,000 qytetarë amerikanë vlerësohet se janë ende në Afganistan.
Biden i përshkroi shërbyesit e ushtrisë amerikane që vdiqën në sulme si “heronj që kanë qenë në një mision të rrezikshëm, për të shpëtuar jetën e të tjerëve”.
Administrata e tij është fajësuar për një evakuim kaotik, pas rënies së Qeverisë afgane të mbështetur nga SHBA-ja dhe marrjes së kontrollit nga talibanët.
Gjenerali amerikan, Kenneth McKenzie, udhëheqës i Komandës Qendrore të SHBA-së, tha se militantët e Shtetit Islamik shpërthyen dy bomba vetëvrasëse pranë Portës Abbey në aeroportin e Kabulit, ku trupat amerikane frenonin turmat e afganëve, që bënin përpjekje të largoheshin.
Persona të armatosur gjithashtu hapën zjarr ndaj civilëve dhe forcave ushtarake.
McKenzie tha se forcat amerikane po koordinojnë sigurinë me talibanët dhe planifikojnë të vazhdojnë evakuimet, pavarësisht kërcënimeve për sulme të mëtejshme.
Shteti Islamik Khorasan mori përgjegjësinë për sulmet, duke thënë se njëri prej sulmuesve të tij vetëvrasës ka pasur në shënjestër “përkthyes dhe bashkëpunëtorë të ushtrisë amerikane”.
Videot e postuara në internet treguan dhjetëra trupa të shpërndarë rreth një kanali pranë aeroportit.
“Gjysma e njerëzve u hodhën në ujë dhe të tjerët [u rrëzuan] për tokë. Ne i bartëm të plagosurit këtu [në spital]. Rrobat e mia janë të mbuluara plotësisht me gjak”, tha një dëshmitar që nuk donte të identifikohej.
Disa aleatë të SHBA-së, përfshirë Kanadanë, Holandën, Belgjikën dhe Gjermaninë, kanë përfunduar tashmë evakuimet e tyre nga Afganistani, përpara tërheqjes së SHBA-së, më 31 gusht.
Të enjten, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët iu bënë thirrje civilëve që të qëndrojnë larg aeroportit, pasi informacionet e inteligjencës sugjeronin se Shteti Islamik Khorasan po planifikonte një sulm./rel
E-Diaspora
-
Emmendingen: Aktivitet festiv me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovë Konsullata e Republikës së Kosovës në Shtutgart ka njoftuar se në qytetin Emmendingen me rastin e... -
Dy ekstradime të shtetasve kosovarë, në bashkëpunim me autoritetet gjermane -
Bernë: Posta Shqiptare synon transformim dixhital dhe zhvillim përmes UPU-së -
SHBA
Festë për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Ambasadën e SHBA-së -
Nju-Jork
Anila Aliu nderohet me mirënjohje zyrtare nga Asambleja e Shtetit të Nju-Jorkut
Jeta në Austri
-
75,000 euro të marra nga kasaforta në Vjenë, vjedhja e shpikur Dy burra u arrestuan pafajësisht, një vjedhje me thyerje u sajua. Tani sistemi i drejtësisë po... -
Raporti i Eurostat: Çmimet e shtëpive në BE janë rritur me 53% që nga viti 2010 -
Austri: Këto cigare po bëhen më të shtrenjta -
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale












