Lajme

Mbi 2 800 persona humbën jetën nga temperaturat ekstreme në Britani gjatë majit dhe qershorit

Britania e Madhe ka regjistruar 2 877 vdekje të tepërta të lidhura me valët e të nxehtit gjatë muajve maj dhe qershor të vitit 2026, sipas një vlerësimi paraprak të Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA).

Shifra e raportuar është pothuajse dy herë më e lartë se numri i vdekjeve të tepërta të shkaktuara nga temperaturat e larta gjatë gjithë verës së vitit 2025, kur u regjistruan 1 504 raste.

Sipas të dhënave të publikuara, 753 viktima u lidhën me periudhën e nxehtësisë ekstreme nga 24 deri më 27 maj, ndërsa 2 124 vdekje të tjera u regjistruan gjatë valës së të nxehtit që përfshiu vendin nga 21 deri më 28 qershor.

UKHSA theksoi se, edhe pse të dhënat janë ende paraprake, numri i viktimave po i afrohet rekordit vjetor të regjistruar në vitin 2022, kur u shënuan 2 985 vdekje të lidhura me temperaturat e larta.

Vala e të nxehtit në qershor zgjati tetë ditë dhe solli aktivizimin e nivelit më të lartë të alarmit shëndetësor për shkak të temperaturave ekstreme në Angli, një masë që është përdorur vetëm për herë të dytë.

Temperaturat rekord u shënuan në disa zona të vendit. Në Kew Gardens më 26 maj u regjistruan 31,5 gradë Celsius, ndërsa në Lingwood, Norfolk, më 26 qershor temperatura arriti në 37,7 gradë Celsius.

Autoritetet britanike kanë nënvizuar rëndësinë e sistemeve të paralajmërimit të hershëm për rreziqet shëndetësore nga të nxehtit, të cilat synojnë të mbrojnë qytetarët kur temperaturat arrijnë nivele të rrezikshme.

Sipas UKHSA, nëse trendi vazhdon, viti 2026 mund të shënojë numrin më të lartë të vdekjeve nga temperaturat ekstreme të regjistruar ndonjëherë në vend.