Maqedonia
Maqedonia e Veriut formon shtab të krizës për evakuimin e shtetasve nga Lindja e Mesme
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka formuar një shtab për kriza, i cili do të ketë kompetenca për evakuimin e qytetarëve të saj nga Lindja e Mesme, nëse ka nevojë.
Ky vendim është marrë pas sulmit iranian ndaj Izraelit me dronë dhe raketa, në orët e para të 14 prillit.
Izraeli ka thënë se bashkë me aleatët i ka rrëzuar shumicën e dronëve dhe raketave.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, deklaroi të dielën se evakuimi i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut do të varet nga puna e aeroportit në Tel Aviv, i cili u rihap në mëngjes.
Rruga e dytë e mundshme për evakuim është përmes Jordanisë.
Në shtabin e krizës janë të njëjtët anëtarë që ishin në shtabin në tetor të vitit të kaluar për evakuim të shtetasve maqedonas nga Izraeli, pas sulmeve të Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – në tokën izraelite, më 7 tetor.
Osmani shtoi se në Izrael janë 40 deri në 50 qytetarë, mes të cilëve edhe familjarët e personelit diplomatik në Tel Aviv.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në Izrael që të jenë në komunikim të vazhdueshëm me ambasadën tonë në Tel Aviv, ndërsa në dispozicion janë edhe telefonat e shërbimit të MPJ-së në Maqedoninë e Veriut”, tha Osmani.
“Për fat të keq, paralajmërimet për përshkallëzimin e situatës në Lindjen e Mesme janë bërë të vërteta. Çdo dhunë është e dënueshme, qoftë nga Izraeli, Irani apo Hamasi. Ne i dënojmë të gjitha veprimet, siç i dënuam të mëparshmet, dhe siç do t’i dënojmë sulmet e radhës hakmarrëse që janë paralajmëruar”, u shpreh shefi i diplomacisë maqedonase.
Ai kërkoi nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për shkak të rrezikut nga përshkallëzimi dhe aktivizimin e rrugës ballkanike të migrimit.
Nga kabineti i presidentit Pendarovski thuhet se për momentin nuk ka nevojë të mblidhet Këshilli i Sigurimit.
“Presidenti Stevo Pendarovski është në komunikim me partnerët tanë në NATO. Situata po monitorohet me kujdes dhe aktualisht vlerësohet se nuk ka kërcënim për sigurinë e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në komunikatën e presidencës së Maqedonisë së Veriut./REL/
Të tjera nga Maqedonia
E-Diaspora
-
Leyla Ibrahimi-Salahi uron udhëtarët: “Na pret një 2026 plot risi” CEO e Air Prishtinës, Leyla Ibrahimi-Salahi, ka uruar të gjithë udhëtarët dhe partnerët për festat e... -
Traditë shqiptare e Krishtlindjes që ndriçon një lagje zvicerane -
Fehmi Mahalla: Nga Ferizaj në Lozanë, kampion dhe trajner i kampionëve -
Studentët shqiptarë në Zvicër në takim me Ambasadën e Shqipërisë në Bernë për Ditën Kombëtare të Diasporës -
Emigruan për një jetë më të mirë, familja shqiptare fle në rrugët e Francës
Jeta në Austri
-
Sulmohet me armë xhamia e shqiptarëve në Austri Mbrëmjen e kaluar, rreth orës 23:55, persona të panjohur kanë sulmuar hyrjen e xhamisë shqiptare në... -
Trump dëshiron ta shkëpusë Austrinë nga BE-ja -
Austria do të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR, deri në 600 ushtarë në vitin 2026 -
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste










