Lajme
Majlinda Kelmendi synon të fitojë edhe dy medalje ndërkombëtare
Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, ka thënë se synimi i saj për vitin e ardhshëm është ta fitojë të artën e pestë të Evropës, e më pas ta mbrojë të artën në Lojërat Olimpike.
Kelmendi kishte fituar të artën në kategorinë deri 52 kilogramë në “Rio 2016”.
Kelmendi gjatë një bisede në “JudoFest 2020” që është mbajtur në formë virtuale, ka thënë se do të përqendrohet vetëm në stërvitjet e veta.
“Të jem e sinqertë nuk është e lehtë. Kam qenë në Lojërat Olimpike njëherë dhe e di se çfarë duhet të bësh. Ka shumë presion, por në çdo stërvitje mundohem të jap më tepër nga vetja. Deri më tash çdo gjë ka shkuar mirë. Synimi im është sigurisht ta mbroj titullin në Lojërat Olimpike, shpresoj ta bëj këtë. Sigurisht para Lojërave Olimpike do të kem disa gara, një prej tyre është Kampionati Evropian. Shpresoj të bëhem kampione e Evropës për herë të pestë e të shkoj në formën më të mirë në Lojërat Olimpike”, ka thënë Kelmendi.
Ajo është pyetur nëse është më e vështirë ta fitojë për herë të parë të artën Olimpike apo ta mbrojë titullin.
“Mund të them se të dyja. Pasi të gjithë presin ta mbrojë titullin, veçanërisht në vendin tim. Kjo nuk më bën presion, por më bën të ndjehem më e fortë. Ndonëse është përgjegjësi e madhe. Sytë e shtetit tim janë kah unë. Jam mësuar me këtë. Në anën tjetër ka shumë kundërshtare që e duan këtë titull. Më e mira është të përqendrohem në stërvitjet e mia dhe të bëjë punën time, e jo të mendoj për gjëra tjera”, ka shtuar Kelmendi.
Ajo ka treguar edhe për pritjen që i ishte bërë në Kosovë pas të artës Olimpike të fituar në Rio, shkruan Koha, transmeton Albinfo.ch.
“Medalja ime nuk është më vetëm sport. Kosova është shtet i ri dhe shumë njerëz mendonin se ishte e vështirë të bëje diçka të madhe nga një shtet i vogël si Kosova. Por kur u bëra kampione olimpike e tregova se mund ta arrish këtë”, ka thënë Kelmendi.
Gjatë transmetimit virtual ka qenë mysafir edhe legjenda e xhudos, francezi Teddy Riner.
Ai iu bashkua si mysafir befasues transmetimit virtual dhe i ofroi këshilla kampiones së “Rio 2016”, Majlinda Kelmendi dhe po ashtu xhudistit izraelit, Peter Paltchik, që fitoi titullin e parë të Evropës në Pragë në kategorinë deri 100 kilogramë muajin e kaluar.
“Lojërat Olimpike janë ngjarje shumë e madhe, të gjithë e duan dhe stërvitin për këtë. Hapi i parë është të qëndrosh i përqendruar te shënjestra që ke. Pasi ta përfundosh punën mund të festosh. Por, para kësaj duhet të mbash koncentrimin. Nuk mendon për gara të tjera apo për argëtim, mendon vetëm për shënjestrën që ke”, ka thënë Riner, transmeton “Insidethegames”.
Ai i ka dhënë Kelmendit e Paltchikut edhe një këshillë tjetër për të evituar shpërqendrimet gjatë garave.
“Merrni dy telefona. Njëri nëpërmjet të cilit mund të kontaktojnë të gjithë – të flasësh pas garës. Dhe një tjetër për të biseduar me trajnerin, stafin dhe njerëzit që të duhen gjatë këtij momenti shumë të veçantë”, ka shtuar Riner.
Riner 31-vjeçar ka thënë se vetë synon t’u kthehet garave në Doha të Katarit në Mastersin që mbahet nga 11 deri 13 janar. Do të jetë gara e tij e parë zyrtare pas një mungese gati njëvjeçare.
“Jam duke u ndier mirë, shpresoj që garën e radhës ta kem në janar. Synimi im është i njëjtë – shpresoj ta fitoj të artën olimpike në vitin 2021”, tha Riner.
E-Diaspora
-
Ekspozitë kushtuar jetës dhe veprës së Fehmi Aganit E realizuar nga Muzeu Kombëtar i Kosovës, ekspozita organizohet nga Konsullata e Republikës së Kosovës në... -
Pas 27 vjetësh: refugjatja dhe presidentja takohen sërish -
Studentët e Fakultetit të Arteve përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Oberhausen -
Komedia “Ne dhe Ata” në Bernë: humor dhe reflektim mbi jetën në diasporë -
SHBA
Shqiptarja nga Kosova pranohet në një nga specializimet më konkurruese në SHBA
Jeta në Austri
-
Udhëheqësit austriakë shtyjnë përpara reformën në shëndetësi Austria përshpejton bisedimet për reformën shëndetësore, duke synuar një drejtim të unifikuar të pacientëve dhe një... -
Gjermani
Lionela Jakaj në finalen e “The Voice Kids”, 14-vjeçarja shqiptare synon fitoren në Austri -
Afër Pashkëve, 8,300 lepuj ngordhin në trafikun rrugor në Austrinë e Poshtme -
Edhe Austria ndalon Rrjetet Sociale për fëmijët nën 14 vjeç -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“












