Sport

Majlinda arrin sot në Kosovë, i rezervohet pritje madhështore

Në sheshet e Prishtinës do të kalojë me autobusë të hapur dhe pritet që mijëra njerëz ta presin në sheshin e kryeqytetit kosovar

Kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi sot (e diel) pritet të kthehet në Kosovë nga Rio. Së bashku me të do të jenë edhe ekipi i xhudos, shkruan albinfo.ch.

Majlinda shkroi historinë për sportin kosovar, duke fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar agjendën e pritjes zyrtare për Kelmendin në Kosovë. Ajo pritet të mbërrijë rreth orës 18:00, derisa do të takohet me krerët e shtetit të Kosovës, duke veçuar kryeministrin Isa Mustafa dhe ministrin e sportit, Kujtim Shala.

Ajo gjithashtu do të ketë konferencë për media, kurse më pas do të niset për në Prishtinë nga aeroporti. Në sheshet e Prishtinës do të kalojë me autobusë të hapur dhe pritet që mijëra njerëz ta presin në sheshin e kryeqytetit kosovar. Pas kësaj, Majlinda do të niset në qytetin e lindjes, Pejë, ku gjithashtu i është rezervuar një pritje e ngrohtë.