Sport
Lulja dhe Enisi vazhdojnë pasionin për sportin edhe pas migrimit në Gjermani
Enis Kabashi dhe Lule Simnica kanë qenë sportistë të dalluar në Kosovë. Me migrimin në Gjermani kanë vazhduar jetën sportive. Ata, në bisedë me albinfo.ch shpalosin rrëfimin për rrugën e tyre jetësore

Ai është hendbollist, ajo është volejbolliste. I ka bashkuar dashuria dhe dashuria për sportin. Enis Kabashi ka qenë dy herë hendbollisti më i mirë në Kosovë, derisa vendosi që karrierën ta vazhdojë në Gjermani, atje ku luan me sukses dhe punon gjithashtu. Enisi mori në Gjermani edhe të dashurën Lule Simnica, e cila gjithashtu ka qenë volejbolliste shumë e dalluar në Kosovë, kurse tani talentin e saj po e dëshmon edhe në Gjermani.
Punon si IT dhe luan hendboll
Në një intervistë për albinfo.ch, burrë e grua sportistë tregojnë si shkuan në Gjermani, jetën atje, adaptimin, punën dhe sportin. “Arsyeja që kam shkuar në Gjermani, ka qenë se kam marrë një ofertë të mirë nga Gjermania. Në fakt më është mundësuar që të jem pjesë e ekipit TG Landshut dhe kontrata e punës në formën “FESATEC” si programues (IT)”, është shprehur fillimisht Kabashi për albinfo.ch. Ai nuk e kishte lehtë të largohet nga Kosova. “Lehtë nuk ka qenë, megjithatë, duke parë rrethanat në Kosovë, ku gjendja ishte shumë e rëndë, si në ekonomi, sport, jam larguar. Kemi stërvitur dy herë në ditë me KH Prishtinën, kemi marrë pjesë në gara evropiane, dhe është mëkat i madh që nuk kishim kushte”.
Ai tani luan dhe punon në Gjermani. “Momentalisht luaj në Bayern Liga, që është liga e katërt në Gjermani. Vitin e kaluar ishin në vendin e dytë, kurse këtë edicion nuk e kemi nisur edhe aq mirë. Personalisht kam pasur një lëndim në fund të tetorit, por pres që të kthehem në mesin e janarit dhe të ndihmoj ekipin. Punoj në firmën “FESATEC GmbH”, që merret me programimin dhe instalimin e robotëve dhe veturave të markave të ndryshme, ku më së shumti kemi punë me kompanitë gjigante si BMW, VV, AUDI etj. Kushtet janë shumë të mira.
Dallim i madh në mes të Gjermanisë dhe Kosovës
Nga momenti që kam ardhur në Gjermani e kam kuptuar se si duket funksionimi 100 % i një shteti. Këto tri vite që jetoj këtu, kam mësuar shumë gjëra të reja, si dhe një përvojë tejet të madhe, si në hendboll, ashtu edhe në punë”, thekson tutje, njëri nga hendbollistët më të mirë kosovar, i cili gjithashtu luan për Përfaqësuesen e Kosovës.
Dallimi mes Gjermanisë dhe Kosovës mbetet i madh. “Dallimi është shumë i madh, duke parë kushtet në Kosovë se janë shumë të rënda, me palestra të ftohta, madje, kam dëgjuar që një ndeshje hendbolli nuk u luajt, pasi pikonte palestra. Normalisht si çdo fillim, edhe për mua ka qenë vështirë, pasi më mungonte familja dhe e dashura. Pas afër dy viteve ka ardhur e dashura ime, e cila shumë shpejt është ambientuar dhe integruar në shtetin gjerman. Gjuha gjermane është pak e vështirë, sidomos gramatika, megjithatë, jam duke vazhduar në kurse të ndryshme për ta perfeksionuar, pasi është shumë e rëndësishme, sidomos në firmën ku punoj unë, sepse shumica e programeve janë në gjuhën gjermane”, përfundoi Enis Kabashi.
Është ambientuar shumë shpejt
Lule Simnica ishte volejbolliste e dalluar në Kosovë, ndërsa tani, në Gjermani. Simnica tregon si vendosi të shkojë në Gjermani. “Kam shkuar për të fituar një përvojë të re dhe njëkohësisht vendosa ta përfundoja një semestër jashtë vendit, megjithatë, vendosa të qëndroj më gjatë, sepse e gjeta veten shumë mirë”, është shprehur Lule Simnica për albinfo.ch. Ajo luan në Ligën e Tretë të Gjermanisë. “Nuk ka qenë lehtë në fillim në Gjermani, megjithatë, ky rast nuk vjen çdo ditë. Momentalisht luaj në TV Dingolfing, që bënë pjesë në ligën e tretë në Gjermani. Për momentin jam duke bërë një punë praktike në kompaninë “Dräxlmeier”, në departamentin Marketing dhe Inovacion”, thekson tutje Lulja. Të jesh sportist në Gjermani është shumë më e lehtë se në Kosovë, pasi kushtet janë shumë të mira. “Kushtet janë shumë të mira. Për një kohë të shkurt kemi arritur që bashkë me të dashurin tim, të kemi një jetë të mirë. Të jesh sportist në Gjermani është më lehtë se në Kosovë, për shkak të kushteve. Jam ambientuar shumë shpejt në Gjermani. Edhe pse kam punuar, gjithashtu kam vazhduar të mësoj gjuhën gjermane. Kemi krijuar një rreth të shoqërisë që na mbështesin gjatë gjithë kohës dhe na kanë lehtësuar shumë integrimin në shoqërinë gjermane”, përfundoi Lule Simnica.
Enis Kabashi ka qenë dy herë hendbollisti më i mirë në Kosovë, dhe njëri nga lojtarët më të dalluar
Lule Simnica ishte volejbolliste e dalluar në Kosovë, ndërsa tani talentin e saj po e dëshmon edhe në Gjermani
E-Diaspora
-
Shoqatat shqiptare në Zvicër, në fokus të numrit të ri të revistës Albinfo.ch Revista është përqendruar në shoqatat, rrjetet dhe lëvizjet që kalojnë suazat lokale ose regjionale, dmth që...
-
Zhvillo karrierën tënde aty ku vlerësohet: smzh ag të ofron më shumë se një vend pune
-
Akuzohet kosovari, i dyshuar si shef i “degës zvicerane” të organizatës terroriste
-
Aksident tragjik në Gjermani, humb jetën një mërgimtar nga Peja
-
Bolonjë: Kapet shqiptari me 1 kg kokainë
Jeta në Austri
-
Austri: 27% e të rinjve me prejardhje migrante braktisin herët shkollimin Në Austri, më shumë se 100,000 të rinj kanë përfunduar shkollimin e detyrueshëm në maksimum dhe...
-
Gjermania do të ndjekë shembullin e Austrisë dhe do të deportojë sirianët e dënuar
-
Banka Qendrore e Austrisë instalon bankomate për të kapërcyer hendekun rural të parave të gatshme
-
Tragjedi në Festival: Vdes një 22-vjeçar pas një incidenti sigurie
-
Universitetet austriake duan rregulla më të rrepta për pranimin e studentëve të huaj