Lajme

Lija e majmunëve paraqitet në çerdhen e fëmijëve, në Bernë

Një rast i lisë së majmunëve ka ndodhur në një çerdhe fëmijësh, në Bernë. Megjithatë qendra ditore mbetet e hapur

Një rast i lisë së majmunit ka ndodhur në stafin e një qendre ditore (Kita) në kantonin e Bernës, transmeton albinfo.ch. Për shkak se rreziku i infektimit vlerësohet të jetë jashtëzakonisht i ulët, fëmijët mund të vazhdojnë të ndjekin qendrën ditore (çerdhen).

Kantoni i Bernës ka diskutuar rreth situatës me Zyrën Federale të Shëndetit Publik, njofton Departamenti i Shëndetësisë i Bernës, të martën në mbrëmje.

Në grupin e prekur të çerdhes ishin tetë fëmijë dhe dy të rritur, njofton Agjencia Zvicerane e  Lajmeve SDA. Prindërit e tetë fëmijëve janë informuar nga drejtoria e çerdhes dhe janë thirrur nga shërbimi mjekësor kantonal i kantonit të Bernës për të sqaruar pyetjet mjekësore dhe të tjera.

Rasti i parë i lisë së majmunëve është shfaqur në Zvicër në mes të majit. Sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik, që atëherë janë konfirmuar laboratorisht 416 raste.