Kosova

Lajçak i prerë: BE nuk mban më, imazhi i Kosovës u dëmtua, këtë javë nis ndëshkimi

"Bashkimi Europian i është sosur durimi"

 

Bashkimit Europian i është sosur durimi: Blloku do të marrë masa ndëshkuese ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse nuk shtensionohet situata në veri, shprehet i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak,  i cili në debatin në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Europian pohoi se Brukseli nuk mund të tolerojë më asnjë lloj destabiliteti, përcjell albinfo.ch.

Teksa pohoi se përshkallëzimi ende vazhdon të ndodhë në komunat në veri të vendit, Lajçak përmendi dhunën që protestuesit serbë ushtruan ndaj institucioneve të sigurisë, Policisë dhe KFOR-it, si dhe ndaj gazetarëve, dhe tha se presin hetim të mirëfilltë penal dhe dënim për personat përgjegjës. Por në tërësi, për shkak të zhvillimeve në veri, ai theksoi se imazhi i vendeve që synojnë integrimin europian, u dëmtua.

“Po shoh akte të dhunshme që mund të rilindin sepse përshkallëzimi vazhdon të ndodhë. Pa një marrëveshje për ç’tensionim nuk mund të kthehemi tek implementimi i dialogut. Jemi në një udhëkryq të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Është fatkeqësi që duhet të merremi prapë me menaxhimin e krizave në veri të Kosovës, dhe kjo, pikërisht në kohën kur duhet të fokusohemi tek agresioni rus ndaj Ukrainës. Është fatkeqësi që kriza aktuale po ndodh në një periudhë kur kishim një platformë të qartë për normalizim. Kosova dhe Serbia duhet të frenohen nga veprimet që kanë pasojë për sigurinë dhe i shpërqendrojnë nga çështje që kanë vërtet rëndësi”, tha Lajçak.

Drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman, tha se po përgatiten një sërë masash ndaj Kosovës.

“Mes këtyre masave është pezullimi i punës së të gjitha grupeve të angazhuara për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), pezullimi i financimit të programeve të BE-së, mosmiratimi i projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimi i takimeve në nivele politike. Këto masa nuk janë marrë me lehtësi dhe janë të kthyeshme në rast se do të hidhen hapat e duhur drejt ç’tensionimit të situatës”, tha Jan Koopman.

Shumica e deputetëve të PE-së e kritikuan qasjen e Bashkimit Europian. Sipas tyre, vetëm Kosova po qortohet dhe ndaj saj po merren masa, ndërkohë që asnjë masë konkrete nuk është përmendur për Serbinë. Deputetët e PE-së kërkuan që të specifikohen masat edhe ndaj Serbisë, por as Lajçak dhe as Koopman nuk i janë përgjigjur kësaj pyetjeje. Dy zyrtarët evropianë, megjithatë përsëritën disa herë se “nga të dyja palët kërkohen veprime dhe hapa konkretë”.