Bota
Kush mund të kandidojë për president në SHBA
Ka një arsye pse vetëm ata që kanë lindur në SHBA kanë të drejtë të kandidojnë për president
Hedhja e dyshimeve ndaj rivalëve të tij politikë, nëse ata i plotësojnë kushtet për të kandiduar për president të Shteteve të Bashkuara, është një nga strategjitë kryesore të fushatës së Donald Trump.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, kandidatja tjetër republikane, Nikki Haley, është objekti i fundit i akuzave që kanë të bëjnë me kriteret që përcakton Kushtetuta se kush mund të kandidojë për president, transmeton tutje albinfo.ch.
“Ajo nuk ka të drejtë të jetë presidente. Këtë e di shumë mirë”, tha ish-presidenti Trump për zonjën Nikki Haley, ndërsa bënte fushatë në Ajova.
Ai i është rikthyer një taktike të njohur të fushatës, duke ngritur dyshime nëse rivalët kanë të drejtë ligjore të kandidojnë për president.
Këto taktika përfshijnë si keqinterpretimin e ligjit, ose hedhin dyshime mbi vendlindjen e kandidatëve.
Në janar, zoti Trump shpërndau në internet një artikull që pretendonte në mënyrë të rreme se rivalja Haley nuk kualifikohej, sepse prindërit e saj indianë nuk ishin shtetas amerikanë në kohën e lindjes së saj.
Zonja Haley ka lindur në Karolinën e Jugut. Kushtetuta amerikane është e qartë se kush mund të bëhet President, shpjegojnë ekspertët. “Kushtetuta kërkon që kandidati të jetë mbi 35 vjeç dhe të jetë i lindur brenda vendit. Të gjithë ata që kanë lindur në Shtetet e Bashkuara janë qytetarë me të drejtë kandidimi, pavarësisht nga statusi i imigrimit, apo shtetësisë së prindërve të tyre”, thotë Allan Richtman, Profesor i Historisë në Universitetin Amerikan.
Zonja Haley nuk është e para që është vënë në shënjestër nga zoti Trump. Ish-presidenti demokrat Barack Obama dhe rivalët republikanë të zotit Trump gjatë garës brenda partisë, në vitin 2016, Ted Cruz dhe Marco Rubio, ishin po ashtu objekt i këtyre akuzave dhe iu desh t’i përgënjeshtronin ato.
“Unë e di të sigurt se ku kam lindur dhe mendoj se shumica e njerëzve e dinin këtë”, thotë Barack Obama, ish-President i Shteteve të Bashkuara.
Ka një arsye pse vetëm ata që kanë lindur në SHBA kanë të drejtë të kandidojnë për President.
“Kjo shmang dyshimin se presidenti mund të jetë besnik ndaj ndonjë vendi tjetër, ose të ketë prirje që të veprojë kundër interesave amerikane”, thotë profesori i shkencave politike të Universitetit të Çikagos, Mark Hansen.
Ky kusht nuk pritet të hiqet nga kushtetuta. “Ndryshimi kushtetues kërkon miratimin me dy të tretat e votave të të dy dhomave të Kongresit dhe më pas miratimin nga tre të katërtat e shteteve. Nuk kam parë asnjë kërkesë për të hequr, ose zbutur kushtin e nënshtetësisë sipas Kushtetutës”, thotë historiani Allan Lichtman nga Universiteti Amerikan.
Çdo qytetar i lindur në SHBA ka mundësi për të sfiduar akuzat se nuk kualifikohet për postin e Presidentit.
“Kundërshtimi mund të bëhet duke treguar certifikatën e lindjes. Pretendimet se ku kanë lindur fëmijët zakonisht mbështeten në një formë racizmi dhe ksenofobie dhe për këtë nuk duhet të ketë vend në politikën amerikane”, thotë Ravi Perry, profesor i Shkencave Politike në Universitetin Howard.
Nikki Haley ka të drejtë të jetë presidente dhe i ka hedhur poshtë teoritë kundër, duke përfshirë edhe talljen me emrin e saj indian Nimarata, nga ana e zotit Trump.
“Unë nuk shqetësohem nëse është personale apo çfarë do të thotë ai me këtë”, thotë zonja Haley. Ndërsa luftërat politike bëhen më të zjarrta, analistët inkurajojnë votuesit të mos bien pre e akuzave që kanë të bëjnë me vendin e lindjes së kandidatit dhe dezinformatave të tjera që lidhen me zgjedhjet presidenciale, duke njohur Kushtetutën dhe duke kontrolluar pretendimet e diskutueshme që qarkullojnë, në mënyrë që të marrin vendime të mbështetura në informacione të sakta, kur të shkojnë në qendrat e votimit në nëntor.
Të tjera nga Bota
E-Diaspora
-
Libri i Mira Kazhanit promovohet në Gjermani Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocion, në Gjermani u mbajt promovimi i librit bestseller... -
Fjolla dhe Ardiana prezantojnë “Vajzë”, një urë mes Kosovës dhe Zvicrës -
USA
Kur ëndrrat nuk njohin kufij, rrugëtimi akademik i Albulena Ukës -
Në Stokholm, Lea Ypi sjell rrëfimin e ri mbi lirinë dhe identitetin shqiptar -
Në Berlin u prezantua romani “ë” i autores Jehona Kicaj
Jeta në Austri
-
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri Rita Ora gati për skenën e madhe në Alpet austriake... -
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa -
Çmimet e shtëpive familjare në Austri rriten me 2.2% në fillim të vitit 2025 -
Kërkesat për azil në Austri bien me 32% në vitin 2025









