Kosova

Kurti për targat: Beogradi po ushtron terror ndaj serbëve të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti nga Berlini ka folur sërish për vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale, si dhe për kërkesën e SHBA-ve për shtyrje.

Kurti ka thënë se 21 nëntori është dita kur nis gjobitja e vozitësve me targa ilegale.

“Ajo është dita kur makinat të cilat insistojnë të qarkullojnë me targa ilegale, do të duhet të fillojnë të paguajnë gjoba. Nuk jam i interesuar që dikush të gjobitet, jam interesuar që targat të konvertohen nga ato ilegale të lëshuara nga Serbia, në targa legale të lëshuara nga institucionet e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Ai tha se pengesa nuk është mosinformimi por është terrori nga ana e Beogradit që u bëhet serbëve të Kosovës të cilët sipas tij, kërcënohen dhe sulmohen edhe me djegie të veturave të tyre kur ata tregojnë gatishmëri për tu integruar në sistemin e Kosovës.

Për këtë gjë, Kurti tha se njoftoi përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Sa i përket kërkesës së SHBA-ve për shtyrje të vendimit për targa për 10 muaj, Kurti tha se kjo nuk mund të jetë shtyrje dhe se shtyrje mund të jetë për 3 javë ose 1 muaj.

“Por në këtë rast ne s’kemi bërë shtyrje se jemi në të drejtën tonë dhe në të njëjtën kohë kemi shprehur mirëkuptimin për brengat evropiane e amerikane lidhur me mundësitë e cenimit të paqes e sigurisë”, tha Kurti.

Ai shtoi se me Shtetet e Bashkuara janë vazhdimisht në kontakt, me ambasadorin e ShBA-së në Kosovë por edhe drejtpërdrejt me Departamentin e Shtetit.

“Nuk ka vendim që shkakton preokupim të paqes e sigurisë për të cilin ne nuk i njoftojmë partnerët tanë në Washington dhe Bruksel. Pra, ata e dinë paraprakisht qëndrimin tonë. Nuk do të thotë që pajtohemi çdo herë, kudo, sepse qeveria jonë është qeveri e një vendi sovran, dhe kështu edhe ShBA-ja na duan neve, por në anën tjetër s’mund të thuhet që ka pasur kurrfarë shpërfillje nga qeveria jonë ndaj brengave evropiane”, tha Kurti.