Kosova

Kurti pas deklaratës së O’Brien: Kosova s’ka aleate dhe mike më të rëndësishme se SHBA-në

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë duke u rrezikuar, përcjell albinfo.ch.

Ai deklaroi se Kosova nuk ka aleate dhe mike më të rëndësishme se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke komentuar deklaratën e ndihmës-sekretarit të Shtetit, James O’Brien, i cili është shprehur dje se nuk do ta trajtojnë Qeverinë e Kosovës si partnere nëse s’trajtohen njëjtë, duke i bërë thirrje ta tërheqin vendimin për dinarin.

Për kërkesën e O’Brienit për tërheqje të vendimit, Kurti ka thënë se Kosova është republikë demokratike dhe nuk mund t’i mbivendoset institucioneve të pavarura si Banka Qendrore e Kosovës.

“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm se SHBA-në. Kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj si kryeministër i Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar një plan 10-pikësh për zbatimin e Rregullores së saj. Ne jemi një Republikë demokratike. Qeveria nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura siç është BQK-ja”, ka thënë Kurti nga Prizreni të mërkurën.

“Në mesin e këtyre 10 pikave si plan pune për zbatimin e rregullores BQK nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese, pra pa ndëshkim dhe pa incidente duam të ecim përpara. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë prioritet i uni, por njëkohësisht ne kujdesemi edhe paqe e siguri, kujdesemi edhe për mirëqenien e qytetarëve serbë”.

“Unë jam kryeministër që nuk dëshiron që qytetarët të kenë më pak para por të kenë më shumë. BQK-ja ia ka dërguar një letër Bakës Tradicionale të Serbisë, shpresojmë që ata të përgjigjen. Nuk është ndaluar dinari në Kosovë bëhet fjalë vetëm për dinarin si mjet pagese, jo për dinarin që mund ta kenë qytetarët. Nuk dëshirojmë që të ndëshkojmë askënd, me kurrfarë masash mirëpo ta bëjmë këtë tranzicion ashtu  që të legalizohet e formalizohet çdo transaksion”.

“Nuk besoj që qytetarët serbë këtë e shohin si problem, por Beogradi zyrtar që nuk na e pranon as pavarësinë e as krimet e kryera para 25-vjetëve, është ai që sjellë këso alarmimesh para apokaliptike.  Si për BQK-në, si për shtetndërtimin tonë demokratik, si për sistemin tonë financiar ne i jemi falënderues ShBA-së që kanë kontribuar për gjatë këtyre, 25 vjetëvet të Kosovës së çliruar”, ka thënë Kurti.