Kosova
Kurti: I munguar i madh, nga dje, u bë edhe vetë Kadareja
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar edhe sot për shkrimtarin e madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë dje në moshën 88-vjeçare në urgjencën e Tiranës, përcjell albinfo.ch.
Në një postim në rrjete sociale, shefi i qeverisë tha se kushdo që e ka lexuar Kadarenë e di etjen e tij të pashuar për të munguarit e mëdhenj.
“Sepse Kadareja e dëshironte hetimin e çështjes. Miti i furnizoi një sërë të gjatë të munguarish, duke nisur me Kostandinin. Si të thuash: nga Konstandini te Ukshini. Kadareja e di se dhe Ukshini e ka sjellë Doruntinën e vet. Koherencë e paanalizueshme e shkrimtarit të madh”, shkroi mes tjerash Kurti.
Lexoni më poshtë postimin e plotë të kryeministrit:
Nata e parë pa Kadarenë kaloi mbrëmë. Më herët e dinim që është atje diku me bibliotekën e tij, dhe, këtu te secila bibliotekë familjare nëpër shtëpitë tona. Do të lexohet edhe më shumë tash ai: që të na mungojë më pak neve që e duam, që të gjejmë më shumë veten që na duhet.
Shkrimtari ynë i madh u nda nga ne. Mbase filozofi francez, Gilles Deleuze, na thotë diçka që mund të na shërbejë për kuptimin e kësaj ndarjeje. Artisti bën një vepër artiste. Në një farë mënyre është vepra ajo që krijon përherë. Kadare nuk na la në paqen e një shoqërie të përgjumur, por na hodhi në intrigën e tij. Aty janë dhe do të jenë ende personazhet dhe situatat, gjenerali i të vdekurve dhe kako Pino, koncerti i fundit dhe pallati i dimrit të përhershëm, Broadëay i zhvendosur në Tiranë dhe hija e kineastit shqiptar në Paris, Eskili i degdisur dhe faraoni i tejvarrosur, trupi i Lul Mazrekut dhe përkthyesi i katërt, valltari i vargjeve të popullit apo autoriteti i nëndheshëm i Lasgushit… Të gjithë do të jenë aty nën paradigmën e uraganit të pandërprerë të letërsisë.
Shkrimtari i madh ka aftësinë të ndërtojë mision, dhe ky mision është vetëm stil, alegori, porosi, kolektiv kuptimi, dyshim kolektiv. Ai lidh kohët e shkrimeve, por edhe gjeografitë e prozës. Dalja e tij përtej kufijve ngjall problem, sepse ai e dyzon kufirin: e kthen nga kufi talenti në kufi politik, ose, edhe më mirë: ai përzien të tashmen me një të shkuar të dyfishtë. Andaj do të jetë sa shkëlqim edhe problem.
Si një mesazh i habitshëm mund të përmendet edhe fakti që vetëm së shpejti do të shfaqet në Francë biseda e tij e pothuaj tri dekadave më herët me të munguarin e madh Ukshin Hoti. Kushdo që e ka lexuar Kadarenë e di etjen e tij të pashuar për të munguarit e mëdhenj. Sepse Kadareja e dëshironte hetimin e çështjes. Miti i furnizoi një sërë të gjatë të munguarish, duke nisur me Kostandinin. Si të thuash: nga Konstandini te Ukshini. Kadareja e di se dhe Ukshini e ka sjellë Doruntinën e vet. Koherencë e paanalizueshme e shkrimtarit të madh.
I munguar i madh, nga dje, u bë edhe vetë Kadareja.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Kosova dhe Shqipëria në krye të kërkesave për bashkim familjar në Gjermani Pavarësisht shtrëngimit të politikave të imigracionit në Gjermani, qytetarët nga Kosova dhe Shqipëria mbeten ndër aplikuesit... -
Mbi 18 mijë votues nga Zvicra për zgjedhjet në Kosovë -
Leyla Ibrahimi-Salahi uron udhëtarët: “Na pret një 2026 plot risi” -
Traditë shqiptare e Krishtlindjes që ndriçon një lagje zvicerane -
Fehmi Mahalla: Nga Ferizaj në Lozanë, kampion dhe trajner i kampionëve
Jeta në Austri
-
Ekspertët kosovarë që shkëlqejnë në Evropë: Dr. MDSc Genc Zenunaj pjesë e rastit të parë “Guided Quad Zygoma” LUMC, Holandë Në Departamentin e Kirurgjisë Maksillofaciale në LUMC u krye me sukses ndërhyrja e parë “Guided Quad... -
Vjenë: Procesi i votimit në ambasadë po vazhdon në mënyrë të rregullt -
Sulmohet me armë xhamia e shqiptarëve në Austri -
Trump dëshiron ta shkëpusë Austrinë nga BE-ja -
Austria do të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR, deri në 600 ushtarë në vitin 2026











