Kosova

Kurti e Osmani përkujtojnë presidentin historik, Ibrahim Rugova

Në 18-vjetorin e vdekjes së Presidentit historik, Ibrahim Rugova, krerët e shteti kanë bërë homazhe pranë varrit të tij.

Presidentja Vjosa Osmani tha se Kosova do të ecë në rrugën që e ka nisur Rugova.

“Sot përkujtojmë presidentin historik, atin themeltar dhe arkitektin e pavarësisë sonë. Presidenti Rugova arriti që në një kohë të vështirë të ndërtojnë aleanca me ndërkombëtarët, aleanca këto që na duhen edhe sot e do t’i ruajmë këto aleanca që të ecim përpara drejt vizionit të presidentit për një Kosovë sa më të pavarur”, u shpreh ajo.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka nderuar për kontributin e tij për çlirimin e Kosovës.

“Është presidenti i parë i Republikës së Kosovës, kur republika ishte republikë e rezistencës, por edhe president i parë i Kosovës së çliruar. Sot e kujtojmë për rolin dhe kontributin në ndërkombëtarizimin e Kosovës dhe kombëtarizimin e çështjes civile”, u shpreh Kurti.