E-Diaspora

Krijuesit në mërgim ballë për ballë me poetin Agim Shehu

Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës dhe Shoqata e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër, kohëve të fundit  kanë thelluar bashkëpunimin në mes tyre.

Ato me organizim të përbashkët  kanë përgatitur një mbrëmje  ekskluzive  kushtuar jetës dhe veprës së poetit,publicistit dhe disidentit Agim Shehu.

Falë punës së përkushtuar e të zellshme  të autorit  të shumë veprave  zotit Arbër Ahmetaj, kjo  orë letrare dallonte nga ato të mëparmet.

Ahmetaj , me pyetjet në formë bashkëbisedimi të drejtpërdrejtë me autorin ka sjellë momente tejet  interesante  për auditorin dhe vetë poetin  Shehu.

Ai nga  opusi i gjerë krijues i Shehut ka shkëputur disa pjesë të  cilat i ka lexuar  me mjaft shije duke lënë mbresa të pashlyeshme tek artdashësit e fjalës së shkruar.

Po ashtu janë prezantuar edhe videokaseta me tekstet e shkruara nga Shehu, të cilat janë kompozuar nga kompozitorë të ndryshëm dhe  kanë marrë  çmimet   e para në Festivalet  e  këngës, të organizuara  nga TVSH.

Ahmetaj me mjaft fanatizëm kishte ruajtur edhe një artikull  të  botuar në të përditshmen gjermane “Die Zeit” të autorit  Klaus Hensel. Shkrimi  diku i para njëzetekatër vjetëve fliste për takimin e krijuesve shqiptarë të burgosur e të keqtrajtuar nga regjimi komunist  të cilët për fjalën e tyre të lirë kishin marrë  hiq më pak se njëqindepesëdhjetë vjet burg .

Prangat dhe  punën  e rëndë në tharjen e moçaleve dhe kullimin e kënetave e kishte përjetuar më tepër se dhjetë vjet edhe Shehu. Me gjithë keqtrajtimet  dhe tentativat e pandërprera për likuidim fizik nga ana e regjimit komunist  Shehu këngën e tij nuk e ndali asnjëherë.

Nga shkrimtarët e Shqipërisë së  Jugut  askush me aq pasion e dashuri se sa ai nuk i ka thurur vargje Kosovës dhe Çamërisë, të cilat për te ishin dhe mbesin një lamtumirë e pathënë deri në vdekje.

Nuk doja të humbja Zanën për Moskën

Shehu për të pranishmit  ka evokuar edhe kujtime nga e kaluara e largët.  Ai tregon se si regjimi totalitar i atëhershëm  bënte përpjekje që rebelimin e Shehut ta  shuajë nëpërmjet një burse studimi  me dërgimin e tij në Moskë.

Ai po ashtu  shpjegon se si Sigurimi i Shtetit kishte kuptuar për lidhjen e tij me Zanën  dhe me të gjitha mjetet mundohej ta prishte këtë lidhje, bile duke inskenuar edhe të pavërteta.

Pavarësisht pasojave, Shehu vendos të lë Moskën dhe të qëndrojë pranë Zanës, gruas së tij të sotme. Një besnikëri kaq të madhe bashkëshortore nuk e ndeshim as në legjenda. Kjo  besnikëri  ishte reciproke sepse Zana gjatë internimit të Shehut ishte kërcënuar dhe shantazhuar  shumëherë  në  forma të ndryshme vetëm e vetëm që ta braktiste  Shehun.

Ajo kishte pranuar flijimin po jo edhe largimin nga Agim Shehu.

Prandaj Shehu thotë se deri në amshim  është mirënjohës  ndaj Zanës për sakrificat e saj dhe besnikërinë e treguar ndaj tij dhe fëmijëve të tyre.

Kjo dashuri e sinqertë dhe e mirëfilltë diktohet edhe nga kushtimi i shumë vargjeve Zanës,bashkëshorte,mike dhe pjesëtare e vuajtjeve të përbashkëta.

Shaip Beqiri  i njohur nga të gjithë njerëzit e librit kësaj radhe  ka diskutuar  në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër.  Ai tha që kur ishte nxënës i gjimnazit kishte pasur rastin të lexojë përmbledhjen me poezi “Lirika” të Shehut  të cilën më 1972 e pati botuar Rilindja e Prishtinës.

Beqiri konsideron se Shehu është poet i edukimit  dhe i ndjenjës kombëtare. Ai duke shprehur keqardhje për golgotën që  ka përjetuar Shehu dhe të tjerët, veç tjerash u shpreh se “Fjala e lirë s’ ka për të mbetur ëndërr kurrë tek ata që sfidojnë vdekjen”. “ Shembull  faktik  është zoti Shehu, i cili  edhepse në moshë të shtyrë  ka nxjerrë në dritë  mbi tridhjetë vepra me vlerë të lartë artistike.” tha Beqiri dhe  ligjëratën e tij e mbylli duke thënë se poetët janë vullkan që s’ shuhen kurrë.

Më pas Albana   Krasniqi- Malaj drejtoreshë e UPSH-së në Gjenevë e mori fjalën paksa e emocionuar ngase Shehu rrëfeu pjesë nga njohja dhe bashkëveprimi  me të atin e  saj shkrimtarin e historianin e njohur tashmë të ndjerë Sylejman Krasniqi ,për të cilin edhe sot, ai ushqen  respekt e admirim të papërshkruar.

“Kaherë e kemi ndjerë borxh e detyrim që veprimtarinë  e vëllimshme të Shehut ta shpalosim në një takim të përbashkët  si ky i sotmi. Mirëpo rrjedha  e ngjarjeve në Kosovë e Shqipëri ishte e atillë që shumëherë nxirrte nga plani parashikimet  tona”, tha Krasniqi – Malaj  tha.   Ajo  në përfundim të fjalës së saj si shprehje konsiderate  për Agim Shehun, njeri të  dinjitetshëm  dhe krijues  i dalluar ndau një dhuratë modeste.

Kurse  enkas nga Soloturni në këtë mbrëmje kishte ardhur pedagogu dhe veprimtari i devotshëm  Abas Fejzullahi.

Bashkimi i Intelektualëve Shqiptar të Zvicrës të cilin aktualisht e drejton Fejzullahi, pati bërë para dhjetë vjetësh promovimin e librit të Shehut ”Loti  Alpin”.

Përveç krijimtarisë letrare Fejzullahi mendon se Shehu me qëndrimin e tij të pathyeshëm është meritor dhe në frymëzimin  e rinisë studentore  dhe  luftës së saj ndaj  komunizmit  famëkeq i cili për pesëdhjetë vjet-shekuj kishte  gllabëruar  me dhjetëra jetë  të intelektualëve më të shquar shqiptar, vetëm pse ata ishin properëndimor  dhe shihnin të ardhmen e popullit të tyre kah vendet e Evropës demokratike.

Në këtë mbrëmje të pasur kulturore merrnin pjesë edhe krijues e poet  si Bajram Sefaj, Fahrije Kllokoqi –Krasniqi,Fatime Kalimashi, Nerxhivane Ferati- Sejdiu, Dan Kosumi etj.

Gjithashtu nuk  kanë munguar edhe veprimtarë e njerëz të fushave të ndryshme të artit dhe të shkencës .

Në një shkrim informues është e pamundur të shtjellohet puna dhe vepra shumëdimensionale e Shehut  si krijues e atdhetar.  E, rëndësishme  dhe parësore është që tek mërgata jonë po vërehen përpjekje serioze në ruajtjen e gjuhës dhe të kulturës sonë kombëtare.

Arif Ejupi