Lajme

Kanë hyrë në fuqi masat anti-Covid për udhëtimet drejt Gjermanisë

Gjermania vendosi kufizime të reja në kuadër të masave antiCovid për hyrjen në vend duke nisur nga sot.

Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Shqipëri informoi qytetarët se për të udhëtuar drejt Gjermanisë nevojitet rezultati negativ i testit COVID-19, i kryer jo më shumë se 48 orë para mbërritjes, ose certifikata e imunitetit e lëshuar brenda 6-muajve të fundit, shkruan Atsh, përcjell Albinfo.ch.

“Udhëtarët që vijnë nga rajonet e rrezikuara me destinacion përfundimtar Gjermaninë, ju lutem duhet të mbajnë parasysh se kërkohet rezultati negativ i testit COVID-19 ose (AntiGen, RT-LAMP) më së shumti 48 orë para mbërritjes në Gjermani, ose certifikata e një rezultati pozitiv të testit PCR (më i vjetër se 21 ditë, por jo më i vjetër se 6 muaj certifikatë imuniteti)”, informoi TIA.

Certifikatat duhet të jenë në gjermanisht, anglisht ose frëngjisht.

“Udhëtarët që vijnë nga rajone të rrezikuara duhet të paraqesin një konfirmim online të DEA-s (“Digitale Einreiseanmeldung”) gjatë imigracionit. Linku:www.einreiseanmeldung.de. Udhëtarëve që vijnë nga rajone me rrezik u kërkohet të hyjnë në një karantinë 10-ditore. Sipas rregulloreve në fuqi, karantina 10-ditore mund të hiqet më shpejt pas ditës së pestë dhe pas një rezultati negativ të provës”, thuhet në njoftimin e TIA-së.