Kosova
Kamberi i thotë Vuçiqit t’ua thotë serbëve të vërtetën për Kosovën
Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ua ka bërë të qartë deputetëve serbë se Kosova është shtet i pavarur.
Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ua ka bërë të qartë deputetëve serbë se Kosova është shtet i pavarur.
Kamberi i bëri komentet të martën në një seancë të Kuvendit të Serbisë, ku u diskutua për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve, raporton rel, përcjell Albinfo.ch.
Në këtë seancë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se vendi i tij “nuk do ta njohë Kosovën”, edhe pse ajo “njihet nga shtetet më të fuqishme të BE-së dhe SHBA-ja”.
Vuçiq, duke mos ofruar asnjë provë, tha po ashtu se serbët në Kosovë kanë përjetuar “gjërat më të rënda” që nga ardhja në pushtet e kryeministrit Albin Kurti.
Kamberi, gjatë fjalës së tij, u tha serbëve në Kuvend se çfarëdo që dëshironi të arrini në Kosovë, duhet ta arrini në marrëveshje me autoritetet lokale. “Se kush është në pushtet atje, Serbia nuk ka ndikim”, tha ai.
Kamberi tha se serbët që jetojnë në Republikën e Kosovës kanë të drejta të shumta, të garantuara me Kushtetutë, dhe kanë përfaqësim në Kuvend dhe Qeveri.
Këto të drejta, sipas tij, nuk i ka pakica shqiptare dhe pakicat e tjera që jetojnë në Serbi.
Kamberi tha se marrëveshja përfundimtare e Serbisë me Kosovën është një ndër sfidat më të vështira dhe se është obligim i Vuçiqit që ta udhëheqë Serbinë drejt zgjidhjeve që krijojnë perspektivë evropiane.
Ai tha se përmirësimi i raporteve me “armikun e përjetshëm” kërkon aftësi për të kuptuar se “nuk ka pajtim pa u përballur me të kaluarën”.
Sipas Kamberit, Vuçiq e ka përgjegjësi t’u tregojë qytetarëve serbë “të vërtetën për Kosovën dhe vetëm të vërtetën, e jo dëshirat boshe dhe ambiciet politike”.
Duke iu përgjigjur deklaratave të Kamberit, Vuçiq tha se Kosova nuk është shtet i pavarur dhe se serbët në veri të Kosovës nuk kanë status të njëjtë me shqiptarët që jetojnë në jug të Serbisë.
“Ju po e paraqisni situatën sikur Kosova është shtet i pavarur, se nuk ka asgjë të kontestueshme… por, nuk është kështu”, tha Vuçiq.
Ai, po ashtu, i tha Kamberit se nuk ka asgjë kundër dënimit të krimeve ndaj shqiptarëve “atje ku kanë ndodhur”, por shtoi se pala tjetër “hesht dhe nuk flet për krimet e veta”.
Lufta e viteve 1998/99 në Kosovë, e iniciuar nga regjimi i atëhershëm serb, ka përfunduar me mbi 13.000 civilë të vrarë – shumica e tyre shqiptarë – dhe mbi 6.000 veta të zhdukur. Sot e kësaj dite, janë ende mbi 1.600 persona të pagjetur.
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i tyre në terren ka ngecur.
Procesi i negociatave duhet të rezultojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Kosova këmbëngul që kjo marrëveshje të përfshijë njohjen e ndërsjellë; Serbia, tash për tash, nuk pranon.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e saj “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”./Albinfo.ch/
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë Festa e 28 Nëntorit do të festohet me aktivitete të shumta edhe në Austri. Edhe këtë... -
Vaud: Qeveria emëron Metihe Mehmetin, Drejtoreshë të Përgjithshme të Tatimeve -
KQZ i aprovon mbi 7000 pako me fletëvotime nga diaspora, i refuzon mbi 2500 tjera -
Brooklyn: Shqiptari nga Kosova humb jetën duke u përpjekur të ndalojë një grabitës -
Berlin
Shpresim Sadiku fiton titullin “Doktor Shkence” në TU Berlin
Jeta në Austri
-
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë Festa e 28 Nëntorit do të festohet me aktivitete të shumta edhe në Austri. Edhe këtë... -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit -
A do të punonit në Austri për 2200 euro? -
Vjena ul emetimet e CO₂ me gati 6% brenda një viti -
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë









