Shqipëria
Italia dërgon në Shqipëri 49 emigrantë
Një anije e marinës italiane ka arritur më 28 janar në Shqipëri me 49 emigrantë në bord, të cilët u shpëtuan në ujërat ndërkombëtare, përcjell albinfo.ch.
Në Shqipëri, atyre do t’iu procedohen aplikimet për azil dhe më pas ata do të dërgohen në qendrën në Gjadër.
Kjo është përpjekja e tretë për strehimin e emigrantëve në Shqipëri, pasi paraprakisht gjykatat italiane kishin ndaluar një gjë të tillë.
Ministria e Brendshme italiane nuk ka specifikuar nacionalitetin e emigrantëve që u dërguan në portin e Shëngjinit, por mediat në Itali kanë raportuar se bëhet fjalë për persona nga Bangladeshi, Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Gambia.
Përpjekja për procesimin në Shqipëri vjen pas dy përpjekjesh të dështuara tetorin dhe nëntorin e kaluar, kur gjykatësit italianë refuzuan të miratonin urdhra për ndalimin e dy grupeve të vogla emigrantësh në qendrat e ngritura në Shqipëri sipas një marrëveshjeje mes Italisë dhe Shqipërisë. Gjykatat vendosën se vendet e origjinës së emigrantëve nuk ishin të sigurta për ta, nëse aplikimet për azil do t’iu refuzoheshin dhe emigrantët do të ktheheshin në shtetet e tyre.
Rastet janë dërguar në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, e cila më herët ka vendosur se azilkërkuesit nuk mund t’iu nënshtrohen procedurave të përshpejtuara që mund të çojnë në riatdhesim nëse shtetet e tyre të origjinës nuk vlerësohet se janë plotësisht të sigurta.
Seanca dëgjimore për këtë rast në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë është caktuar për 25 shkurt.
Qeveria e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, është zotuar se do të rihapë dy qendrat për emigrantë në Shqipëri, pasi ato mbeten bosh pas vendimeve të gjykatave italiane.
Qëndrimi i Melonit është mbështetur pjesërisht nga një vendim i Gjykatës së Lartë të Italisë në dhjetor, në të cilin gjykatësit italianë thanë se nuk mund të zëvendësojnë politikat e Qeverisë sa i përket vendimit se cilat shtete janë të sigurta për riatdhesimin e emigrantëve të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil.
Ky vendim lejon që gjykatat e niveleve më të ulëta të bëjnë përcaktime të tilla, në bazë të shqyrtimeve të rasteve individuale, pa vendosur për politikën e përgjithshme.
Emigrantët priten të regjistrohen në qendrën e pritjes në portin e Shëngjinit dhe më pas të dërgohen në qendrën e strehimit në Gjadër.
Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët, e arritur në nëntor të vitit 2023, lejon që deri në 3.000 emigrantë të kapur nga rojet bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare çdo muaj të strehohen në Shqipëri, ku do t’iu nënshtrohen procesit të verifikimit për marrjen e mundshme të azilit në Itali.
Marrëveshja pesëvjeçare është thënë se do t’i kushtojë Italisë 160 milionë euro në vit.
Sipas marrëveshjes, procedurat për emigrantët do të kryhen në dy qendra.
Qendra e parë në Shëngjin do të përdoret për procedura të identifikimit të emigrantëve, ndërsa qendra e dytë, në Gjadër, rreth 20 kilometra larg portit, do të shërbejë për strehim të tyre derisa të procesohen kërkesat për azil.
Qendrat do të funksionojnë sipas ligjit italian, me staf italian të sigurisë, ndërsa gjyqtarët do t’i mbajnë seancat përmes video-lidhjes nga Roma.
Emigrantët që fitojnë azil do të mirëpriten në Itali, ndërkaq atyre që iu refuzohet kërkesa për azil, sipas marrëveshjes, do të riatdhesohen drejtpërdrejt nga Shqipëria.
Aktivistët për të drejtat e njeriut kanë kritikuar marrëveshjen, duke thënë se krijon një precedent të rrezikshëm.
Deri më tani gjatë këtij viti, 3.704 emigrantë kanë arritur në Itali, apo dyfish më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur ishin 1.305 imigrantë.
Vitin e kaluar, 66.317 imigrantë arritën në Itali, apo 58 për qind më pak se viti paraprak. Shumica e emigrantëve ishin nga Bangladeshi, Siria, Tunizia dhe Egjipti, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme italiane.
E-Diaspora
-
Ambasadori britanik takon studentët kosovarë pas studimeve në Mbretërinë e Bashkuar Jonathan Hargreaves përgëzon të rinjtë që rikthyen aftësi unike dhe njohuri të avancuara për shoqërinë kosovare.... -
Itali
Tragjedi në Bolonjë: Vdes 12-vjeçari shqiptar pas rënies nga një dritare -
Gjermani
Petrit Halilaj prezanton ekspozitën “Një Operë Jashtë Kohës” në Gjermani -
Ekspozitë kushtuar jetës dhe veprës së Fehmi Aganit -
Pas 27 vjetësh: refugjatja dhe presidentja takohen sërish
Jeta në Austri
-
Udhëheqësit austriakë shtyjnë përpara reformën në shëndetësi Austria përshpejton bisedimet për reformën shëndetësore, duke synuar një drejtim të unifikuar të pacientëve dhe një... -
Gjermani
Lionela Jakaj në finalen e “The Voice Kids”, 14-vjeçarja shqiptare synon fitoren në Austri -
Afër Pashkëve, 8,300 lepuj ngordhin në trafikun rrugor në Austrinë e Poshtme -
Edhe Austria ndalon Rrjetet Sociale për fëmijët nën 14 vjeç -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“













