Kultura

Helidon Xhixha fiton çmim në Bienalen e Dizajnit në Londër

Një qytet i përkryer në formën e një skulpture monumentale prej çeliku me emrin “Bliss”, artisti shqiptar, Helidon Xhixha, fitoi çmimin në Bienalen e Dizajnit në Londër

Në qendër të kryeqytetit britanik, artisti Xhixha ishte më i preferuari i publikut në këtë edicion, ku ai u paraqit me instalacionin e tij.
“Shqipëria fitoi çmimin e publikut për instalacionin më të bukur. Dua të falënderoj këdo që ka votuar për mua, përfshirë këtu edhe skuadrën tonë, familjen dhe miqtë, e këdo që u kënaq nga instalacioni im dhe mori kohë për të na votuar”, shprehet artisti Xhixho në rrjetin e tij social “Facebook”, shkruajnë mediat në Tiranë.
Skulptura e tij monumentale prej çeliku bart pikërisht idenë e një qyteti të përkryer, ku njerëzit mund të arrijnë një bashkëjetesë të lumtur. Vizionin e tij artisti shqiptar e ka materializuar në këtë vepër që arrin të realizojë ndërveprim mes vizitorëve, të lirë të ulen e të shohin vetveten apo ata që kanë afër, të pasqyruar në çelik.
Artisti i njohur Helidon Xhixha rezultoi më i preferuari i publikut në këtë edicion, ku ai u paraqit me veprën “Bliss”, të vendosur në Somerset House Courtyard, në qendër të kryeqytetit britanik. Në Bienalen e vitit të kaluar në Venecia instalacioni madhështor, një ajsberg çeliku që lundroi në Kanal Grande jo vetëm që mahniti publikun e kritikën, por përcolli edhe një mesazh të fortë mbi mbrojtjen e mjedisit.