Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ka zhvilluar takime me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, dhe kryeministrin Hristijan Mickoski, ku në fokus të diskutimeve ishte thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, realizimi i projekteve të përbashkëta dhe perspektiva evropiane e të dy republikave.
Në takimin me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, Haxhiu diskutoi për forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar përmes komisioneve dhe grupeve të miqësisë, si dhe për rolin e parlamenteve në mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve. Ajo falënderoi homologun Gashi për mbështetjen që Maqedonia e Veriut i jep Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Haxhiu theksoi rëndësinë e mbështetjes së gjerë parlamentare për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, duke nënvizuar se kuvendet kanë rol të veçantë në afrimin e mëtejshëm të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Në këtë takim u diskutua edhe për bashkërendimin e përpjekjeve në forumet parlamentare ndërkombëtare dhe për rrugën evropiane të të dy vendeve.
Gjatë takimit me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, temë diskutimi ishin marrëdhëniet e mira fqinjësore, të bazuara në respektin e ndërsjellë, siguria rajonale dhe rruga euroatlantike e dy shteteve.
Kryetarja Haxhiu vlerësoi lidhjet ndërmjet qytetarëve të të dy vendeve, duke i cilësuar ato si një nga pasuritë më të rëndësishme të marrëdhënieve dypalëshe. Ajo gjithashtu shprehu mbështetjen e Kosovës për përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian dhe vlerësoi mbështetjen e këtij shteti për integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike.
Ndërkaq, në takimin me kryeministrin Hristijan Mickoski, të zhvilluar në Shkup, vëmendje e veçantë iu kushtua thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe realizimit të projekteve të përbashkëta me interes për qytetarët e të dy vendeve.
Në këtë kuadër, u diskutua për projektet infrastrukturore, përfshirë lidhjen rrugore Prizren–Tetovë dhe autostradën Shkup–Bllacë, si dhe për ndërlidhjen energjetike.
Haxhiu theksoi rëndësinë e realizimit sa më të shpejtë të këtyre projekteve, duke vënë në pah se ato do të lehtësojnë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave dhe do të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ajo bëri të ditur se Kuvendi i Kosovës do t’i mbështesë këto projekte dhe do të përcjellë ecurinë e tyre.
Takimet e zhvilluara në Shkup u përqendruan në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, avancimin e bashkëpunimit institucional dhe konkretizimin e projekteve të përbashkëta, me synimin që bashkëpunimi dypalësh të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.


