Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e Ditës Kombëtare të Austrisë, ku vlerësoi marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve dhe mbështetjen austriake për Kosovën.
Gjatë fjalës së saj, presidentja përcolli urimet për Republikën e Austrisë dhe qytetarët e saj, duke theksuar se miqësia ndërmjet dy shteteve mbështetet në vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe paqes.
Shiroka Pula vlerësoi kontributin e Austrisë në periudhat më të vështira të historisë së Kosovës, njohjen e hershme të pavarësisë dhe mbështetjen për ndërtimin e shtetit, forcimin e institucioneve dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
Ajo theksoi gjithashtu rolin e Austrisë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë përmes pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për aspiratat euroatlantike të Kosovës.
Presidentja shprehu mirënjohje për institucionet dhe qytetarët austriakë, duke vënë në pah mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, shkencën, kulturën, teknologjinë, ekonominë dhe inovacionin.
Në përfundim, Shiroka Pula i uroi popullit austriak paqe, mirëqenie dhe prosperitet, ndërsa Austrisë i dëshiroi suksese në kontributin për një Evropë paqësore dhe të bashkuar.

