Vjena është renditur e shtata në një klasifikim mbarëbotëror të qyteteve me sistemet më të pëlqyera të transportit publik, sipas një sondazhi të kryer nga revista ndërkombëtare urbane “Time Out”.
Më shumë se 24,000 banorë anembanë botës u pyetën nëse e konsiderojnë transportin publik në qytetin e tyre si “të mirë” apo “shumë të mirë”.
Në Vjenë, 90,3 për qind e të anketuarve u përgjigjën pozitivisht.
Pavarësisht rritjes së fundit të çmimeve të biletave, kryeqyteti austriak la pas dhjetëra qytete të tjera të mëdha ndërkombëtare. “Wiener Linien”, operatori i transportit publik në qytet, raporton se çdo ditë në rrjetin e tij kryhen rreth 2,47 milionë udhëtime.
Renditja e “Time Out” pasqyron kënaqësinë e banorëve dhe jo treguesit teknikë, siç janë përpikmëria, madhësia e rrjetit apo çmimet e biletave. Dhjetë qytetet me vlerësimet më të larta janë:
Taipei, Tajvan: 95 për qind
Singapori: 93,5 për qind
Hong Kongu: 92,8 për qind
Edinburgu, Skoci: 92,4 për qind
Seuli, Koreja e Jugut: 91,1 për qind
Cyrihu, Zvicër: 90,7 për qind
Vjena, Austri: 90,3 për qind
Talini, Estoni: 85,3 për qind
Helsinki, Finlandë: 83,6 për qind
Medellin, Kolumbi: 83 për qind
Vjena mbetet pas kryesuesit të sondazhit, Taipeit, me vetëm 4,7 pikë përqindjeje.
Pse Taipei kryeson
Taipei siguroi vendin e parë me një shkallë pëlqimi prej 95 për qind. “Time Out” vlerësoi stacionet e pastra të kryeqytetit tajvanez, përpikmërinë e lartë dhe sistemin e thjeshtë e të qartë të biletave.
Singapori u rendit i dyti me 93,5 për qind, falë rrjetit të gjerë hekurudhor MRT, raporton theinternational. Hong Kongu ndoqi në vendin e tretë me 92,8 për qind; aty, pasagjerët mund të përdorin gjithashtu tramvaje historike, si dhe tragete për të kaluar përmes portit “Victoria Harbour”, transmeton albinfo.at.
Tre qytete evropiane u renditën para Vjenës. Edinburgu zuri vendin e katërt me 92,4 për qind. Cyrihu, me një rrjet që përfshin tramvaje, autobusë dhe trena, arriti në 90,7 për qind, vetëm 0,4 pikë përqindjeje më shumë se Vjena. Talini ofroi një veçori të theksuar: banorët e regjistruar mund ta përdorin transportin publik falas.
Kryeqyteti estonez arriti një shkallë miratimi prej 85,3 për qind, duke u renditur në vendin e tetë. Helsinki e plotësoi praninë evropiane në dhjetëshen e parë; aty, një biletë e vetme mbulon tramvajet, metronë, autobusët, trenat rajonalë dhe tragetin për në ishullin Suomenlinna.
Qytetet që mbetën paksa jashtë dhjetëshes së parë përfshijnë Shangain, Varshavën, Osakën, Stokholmin, Xhakartën, Riadin, Hamburgun, Amsterdamin, Vankuverin dhe Oslon.