Një shtetas i Kosovës, i kërkuar nga autoritetet e drejtësisë për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, është ekstraduar nga Zvicra në Kosovë.
Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Kosovës, e cila njoftoi se ekstradimi u realizua më 27 tetor 2026, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë përkatëse policore dhe institucionet e drejtësisë.
Sipas policisë, personi me inicialet A.Z. ishte në kërkim ndërkombëtar, bazuar në një urdhërarrest të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.
Pas mbërritjes në vend, ai iu dorëzua njësive përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, ku do të vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me synim parandalimin dhe luftimin e aktiviteteve kriminale, si dhe identifikimin dhe kapjen e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.