Kosova

Haradinaj reagon për largimin e serbëve nga FSK-ja

Kjo qasje e serbëve është e njëjtë me atë të dikurshme, pra shumë vite më parë

Mëngjesin e sotëm është zhvilluar mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës. Mbledhje kjo e thirrur nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Pas përfundimit të mbledhjes, Haradinaj është deklaruar lidhur me diskutimet brenda saj e që kishin të bënin pikërisht me kërkesën për dorëheqje të disa prej pjesëtarëve të FSK-së, nga komuniteti serb që u bë ditë më parë, përcjell albinfo.ch.

Sipas Haradinajt, presioni që iu është bërë nga ana e serbëve të Beogradit është i palejueshëm dhe se Kosova ka reaguar menjëherë lidhur me këtë, shkruan Indeksonline.

“U diskutua për presionet e Beogradit ndaj pjesëtarëve të FSK-së nga komuniteti serb. Ju keni qenë edhe jeni në dijeni për një fazë të caktuar e cila raportohet edhe në media për sulme, me armë , me mjete shpërthyese që rrezikojnë jetën e pjesëtarëve të FSK-së, nga komuniteti serb. Këto në të kanë ndodhë dhe ka rezultuar me kërkesën për lirim nga FSK, të një numri të pjesëtarëve serb nga një rajon i Kosovës, që nuk është veriu. Shumica e tyre në deklarimet e motiveve për lirim paraqesin presionin e ushtruar direkt nga autoritetet qoftë nga lëvizjet e tyre në Serbi, pra ndalimin dhe marrjen ne pyetje për ta, familjet e tyre deri te instrumentet e tjera që janë përdorë, përfshirë edhe mekanizma të tjerë që punojnë në Kosovë që kanë zbatuar këtë presion, kërcënim drejt pjesëtarëve të FSK-së, të komunitetit serb”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij kuptohet se kjo nuk rezulton në prishjen e sigurisë së përgjithshme në vend.

Kjo qasje e serbëve është e njëjtë me atë të dikurshme, pra shumë vite më parë.

“Është kundër konventave, kundër të drejtave të sigurisë, ne si Kosovë kemi vepruar me kohë, që të mos pranohet kjo”, ka përfunduar Haradinaj.