Kosova

Gjithçka gati për Forumin Ekonomik të Anamoravës, nesër në Gjilan

Biznese vendore, investitorë nga diaspora dhe përfaqësues institucionalë pritet të mblidhen më 8 tetor në Vali Ranch Resort, për të diskutuar mundësitë e investimeve dhe bashkëpunimit në rajonin e Anamoravës. Programi nis në orën 10:00 dhe përfshin prezantime, panel diskutimi dhe takime B2B.

Forumi Ekonomik i Anamoravës 2026 do të mbahet nesër, më 8 tetor, në Vali Ranch Resort në Gjilan. Oda Ekonomike e Kosovës ka ftuar bizneset e diasporës të marrin pjesë në këtë aktivitet, i cili synon të krijojë hapësirë për dialog ekonomik, investime dhe partneritete të reja, shkruan albinfo.ch.

Sipas agjendës së publikuar, forumi do të hapet në orën 10:00 me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna. Në vijim janë paraparë adresime nga përfaqësues të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, komunave të Gjilanit, Vitisë dhe Kamenicës, si dhe Caritas Switzerland.

Në qendër të diskutimeve do të jenë potenciali ekonomik i Anamoravës, sektorët me mundësi për investime dhe projektet konkrete që mund të zhvillohen në bashkëpunim me bizneset dhe investitorët nga diaspora.

Paneli tematik do të mbledhë drejtorët e drejtorive për zhvillim ekonomik të komunave pjesëmarrëse. Ata do të prezantojnë resurset lokale, avantazhet konkurruese dhe mundësitë për partneritete të reja.

Në kuadër të forumit është paralajmëruar edhe prezantimi i platformës digjitale B2B, e cila synon të lidhë bizneset vendore me kompanitë dhe investitorët nga diaspora. Platforma është zhvilluar në kuadër të një projekti të zbatuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, në bashkëpunim me Caritas Switzerland.

Pas drekës së punës, programi do të vazhdojë me takime të drejtpërdrejta B2B ndërmjet kompanive vendore dhe atyre të diasporës, institucioneve dhe komunave. Për organizimin e këtyre takimeve kërkohet konfirmimi paraprak i pjesëmarrjes.

Aktiviteti organizohet në kuadër të projektit HOME – Holistic Opportunities for Migrant and Diaspora Engagement, i zbatuar nga Caritas Switzerland dhe i financuar nga Qeveria e Principatës së Lihtenshtajnit.

Agjenda e Forumit Ekonomik të Anamoravës 2026

Data: 8 tetor 2026
Vendi: Vali Ranch Resort, Gjilan

Ora Aktiviteti
10:00–10:05 Lulzim Rafuna, kryetar i OEK-së: Fjalë përshëndetëse dhe hapja zyrtare e forumit.
10:05–10:10 Fitore Malaj, rektore e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan: Roli i universitetit në zhvillimin ekonomik, inovacion, kapitalin njerëzor dhe mbështetjen e investimeve në Anamoravë.
10:10–10:15 Rasim Demiri, ministër i Zhvillimit Rajonal: Rëndësia e zhvillimit rajonal dhe mundësitë për bashkëpunim dhe investime.
10:15–10:20 Alban Hyseni, kryetar i Komunës së Gjilanit: Potenciali ekonomik dhe mundësitë për investime në Gjilan.
10:20–10:25 Sokol Haliti, kryetar i Komunës së Vitisë: Potenciali ekonomik dhe mundësitë për investime në Viti.
10:25–10:30 Kadri Rahimaj, kryetar i Komunës së Kamenicës: Potenciali ekonomik dhe mundësitë për investime në Kamenicë.
10:30–10:35 Astrid Wein, drejtoreshë e Caritas Switzerland në Kosovë: Fjalë përshëndetëse.
10:35–11:45 Panel diskutimi: “Potenciali ekonomik dhe mundësitë për investime në komunat e Anamoravës”. Drejtorët e drejtorive për zhvillim ekonomik të komunave pjesëmarrëse prezantojnë sektorët me potencial për investime, projektet konkrete, resurset lokale, avantazhet konkurruese dhe mundësitë për bashkëpunim.
11:45–12:00 Prezantim: “Potenciali dhe mundësitë për investime në Rajonin e Anamoravës”, nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.
12:00–13:00 Drekë pune.
13:00–14:00 Takime B2B ndërmjet kompanive vendore dhe të diasporës, institucioneve dhe komunave.
14:00 Përfundimi i forumit.