Skip to content

Forumi i Brezovicës bashkoi bizneset vendore, diasporën dhe investitorët ndërkombëtarë

Takimet ndërmjet kompanive, integrimi në tregun evropian dhe angazhimi i diasporës ishin ndër temat kryesore të forumit ekonomik të mbajtur më 18 dhe 19 nëntor.

Edicioni i dytë i “Brezovica Economic Forum 2026”, i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, mblodhi në Brezovicë përfaqësues të institucioneve, bizneseve, diasporës dhe partnerëve ndërkombëtarë për të diskutuar mundësitë e investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik, përcjell albinfo.ch.

Forumi u mbajt më 18 dhe 19 nëntor në Hotel Brezovica. Programi përfshiu integrimin ekonomik rajonal, afrimin me tregun e BE-së, qasjen në financa, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në biznes.

Në hapje, kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, theksoi synimin që Kosova të shihet si destinacion për prodhim, investime dhe partneritete që mundësojnë furnizimin e tregjeve rajonale dhe evropiane.

Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit iu kushtua kontakteve të drejtpërdrejta ndërmjet bizneseve. Në kuadër të forumit u zhvilluan takime B2B mes kompanive nga Kosova, Japonia dhe Gjermania, me synimin e krijimit të partneriteteve të reja.

Diaspora ishte gjithashtu në qendër të diskutimeve, nën moton “Nga dashuria për vendin tek investimet”. Sipas njoftimit të OEK-ut  në forum morën pjesë rreth 20 biznese nga rajoni i Shtutgartit, të interesuara për mundësitë e investimit dhe bashkëpunimit në Kosovë.

Në diskutimet për integrimin ekonomik, ministrja Mimoza Kusari-Lila theksoi se qasja në tregje duhet të shoqërohet me kapacitete reale të bizneseve për të konkurruar. Ajo veçoi rëndësinë e investimeve në makineri moderne, digjitalizim dhe përmbushjen e standardeve evropiane.

Forumi trajtoi edhe përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, bashkëpunimin për transferimin e njohurive dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në ndërmarrësi.

Përmes paneleve dhe takimeve mes pjesëmarrësve, aktiviteti synoi forcimin e lidhjeve ndërmjet bizneseve vendore dhe partnerëve të huaj, si dhe promovimin e potencialit ekonomik të Kosovës./Albinfo.ch