Skip to content

FSK kryen qitje me mortaja 120 mm në poligonin e Bizës në Shqipëri

Bateritë e Regjimentit të Mbështetjes Luftarake zhvilluan qitje me municion luftarak, në kuadër të avancimit të kapaciteteve operacionale.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka realizuar qitje me municion luftarak me mortaja 120 mm të sistemit Vuran, në poligonin e Bizës në Shqipëri, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të FSK-së, në aktivitet morën pjesë bateritë e Regjimentit të Mbështetjes Luftarake të Komandës së Forcave Tokësore, në kuadër të zhvillimit dhe avancimit të kapaciteteve operacionale të mbështetjes luftarake.

Aktivitetin e vizitoi komandanti i Forcave Tokësore, gjeneral brigade Mehmet Lladrovci, i shoqëruar nga stafi i tij dhe atasheu ushtarak i FSK-së në Shqipëri. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Forcave Tokësore të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Vizita kishte për qëllim ndjekjen nga afër të qitjeve dhe vlerësimin e zbatimit të procedurave të planifikimit dhe realizimit të mbështetjes luftarake me zjarr indirekt.

Në njoftim theksohet se pjesëtarët e regjimentit dëshmuan profesionalizëm në zbatimin e procedurave të sigurisë dhe përdorimin e mortajave.

Gjeneral brigade Lladrovci falënderoi përfaqësuesin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe pjesëtarët e regjimentit për angazhimin në zhvillimin e kapaciteteve operacionale të njësisë./Albinfo.ch