Skip to content

Zvicra përdor sërish rezervat e detyrueshme për të siguruar furnizimin me naftë

(KEYSTONE/Michael Schmid)

Autoritetet kanë zgjatur deri më 20 dhjetor përdorimin e rezervave të naftës dizel, pasi vështirësitë në transport dhe furnizim vazhdojnë.

Zvicra ka zgjatur me katër javë përdorimin e rezervave të detyrueshme të naftës dizel, për të përballuar pengesat në furnizim, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të autoriteteve federale, nga 23 nëntori deri më 20 dhjetor do të mund të përdoren edhe 35 mijë metra kub naftë nga këto rezerva.

Së bashku me sasinë e autorizuar më parë, vëllimi i përgjithshëm arrin në 80 mijë metra kub, ose rreth 6.5 për qind të rezervave të detyrueshme të dizelit.

Problemet lidhen me kapacitetet e ngarkuara të transportit dhe vështirësitë e furnizimit nga rafineritë. Megjithëse reshjet e fundit kanë përmirësuar transportin lumor në Rhein, ato nuk kanë kompensuar mungesat e krijuara gjatë muajve të kaluar.

Autoritetet theksojnë se masa synon ruajtjen e furnizimit. Furnizimi me benzinë dhe lëndë djegëse për ngrohje është aktualisht i siguruar, ndonëse gjendja për këtë të fundit mbetet shumë e tensionuar./Albinfo.ch