Skip to content

Cassis do të vizitojë Kinën, në fokus ekonomia dhe të drejtat e njeriut

(KEYSTONE/Gaetan Bally)

Kryediplomati zviceran do të takohet më 23 nëntor me homologun kinez, Wang Yi, në kuadër të dialogut strategjik ndërmjet dy vendeve.

Ministri i Punëve të Jashtme i Zvicrës, Ignazio Cassis, do të udhëtojë më 23 nëntor në Nanjing të Kinës, ku do të takohet me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të Departamentit Federal të Punëve të Jashtme, takimi do të zhvillohet në kuadër të raundit të pestë të dialogut strategjik ndërmjet Zvicrës dhe Kinës.

Bisedimet do të përqendrohen në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në të drejtat e njeriut, ndërmjetësimin dhe bashkëpunimin ekonomik, shkencor e kulturor.

Dy ministrat do të shkëmbejnë pikëpamje edhe për zhvillimet ndërkombëtare, përfshirë situatën në Evropë dhe Azinë Lindore.

Vizita përkon me dhjetëvjetorin e partneritetit strategjik të krijuar ndërmjet dy vendeve në vitin 2016. Ajo pason takimin e 30 tetorit mes presidentit të Konfederatës, Guy Parmelin, dhe presidentit kinez, Xi Jinping, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së përmirësuar të tregtisë së lirë.

Dialogu strategjik është mekanizmi më i lartë i konsultimit ndërmjet ministrive të jashtme të dy vendeve. Raundi i mëparshëm u mbajt më 10 tetor 2025 në Bellinzona./Albinfo.ch