Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka cilësuar shumë të suksesshëm samitin trepalësh me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe presidentin kinez, Xi Jinping, të mbajtur më 19 nëntor në Shenzhen të Kinës, raporton Reuters, përcjell albinfo.ch.
Në një intervistë për NBC News gjatë kthimit drejt Uashingtonit, Trump e vlerësoi takimin me notën “12 nga 10”.
Tre udhëheqësit miratuan një deklaratë të përbashkët për paqen dhe rreziqet bërthamore, por nuk njoftuan marrëveshje për përfundimin e luftës në Ukrainë apo nisjen e negociatave konkrete për reduktimin e armëve bërthamore.
Ndërkohë, udhëheqësit evropianë u mblodhën në Berlin me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke kërkuar që Ukraina dhe Evropa të jenë pjesë e vendimmarrjes për paqen.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, kundërshtoi një marrëveshje ndërmjet fuqive të mëdha që do të vendoste për të ardhmen e vendeve të tjera pa pjesëmarrjen e tyre. Edhe Zelensky theksoi domosdoshmërinë e përfshirjes së Evropës në negociata.
Në takim morën pjesë edhe të dërguarit amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Ky i fundit tha se Trump synon një marrëveshje paqeje në bashkëpunim me aleatët evropianë.
Kushner përmendi gjithashtu mundësinë e garancive të sigurisë për Ukrainën të mbështetura në modelin e nenit 5 të NATO-s, por kjo mbetet pjesë e diskutimeve dhe jo marrëveshje e përfunduar./Albinfo.ch