Konventa e 9-të e Industrisë së Drurit do të mbahet më 26 nëntor në Hotel Emerald në Prishtinë, duke bashkuar prodhues, ekspertë dhe partnerë ndërkombëtarë për të diskutuar mundësitë e zhvillimit dhe zgjerimit në tregjet evropiane, përcjell albinfo.ch.
Aktiviteti organizohet nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës, nën temën “Industria e drurit drejt tregjeve evropiane: Inovacion, qëndrueshmëri dhe kapital njerëzor”.
Sipas organizatorëve, në sallën Beethoven do të vendosen 23 stenda, ku vizitorët do të mund të njihen me produkte nga druri, materiale, teknologji përpunimi dhe zgjidhje digjitale.
Programi përfshin diskutime për ekonominë qarkore, investimet e gjelbra, automatizimin e prodhimit dhe përgatitjen e fuqisë punëtore për nevojat e industrisë.
Një sesion i veçantë do t’i kushtohet rëndësisë së eksportit dhe rolit të diasporës, me fokus te tregjet e Bashkimit Evropian dhe Zvicrës, shitjet online, investimet dhe partneritetet me kompanitë në Kosovë.
Në agjendë është paraparë edhe prezantimi i një delegacioni blerësish nga Suedia dhe Danimarka, i cili më pas do të zhvillojë takime me bizneset në sallën Vivaldi.
Konventa do t’u japë hapësirë edhe ideve të studentëve përmes garës “Wood Design Challenge”, me prezantimin e finalistëve dhe ndarjen e çmimeve./Albinfo.ch
Agjenda e përmbledhur për 26 nëntor
| Ora | Aktiviteti |
| 09:30 deri 10:00 | Regjistrimi dhe kafeja e mirëseardhjes |
| 10:00 deri 10:40 | Ceremonia e hapjes |
| 10:40 deri 11:30 | Inovacioni i gjelbër dhe ekonomia qarkore |
| 11:30 deri 12:05 | Inovacioni dhe teknologjia e avancuar |
| 12:05 deri 12:30 | Fuqia punëtore dhe akademia |
| 12:30 deri 13:00 | Vizita në ekspozitë |
| 13:00 deri 14:00 | Rrjetëzim dhe drekë pune |
| 14:00 deri 14:30 | Prezantimi i blerësve nga Suedia dhe Danimarka |
| 14:30 deri 15:10 | Rëndësia e eksportit dhe roli i diasporës |
| 15:10 deri 15:55 | Mbështetja nga institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë |
| 15:55 deri 16:05 | Prezantimi i “Shkollës së Arteve Vizuale” |
| 16:05 deri 16:50 | Finalistët dhe ndarja e çmimeve të “Wood Design Challenge” |
| 16:50 deri 17:00 | Përmbyllja |
Ekspozita në sallën Beethoven do të jetë e hapur nga ora 09:30 deri në orën 17:00.
Informata dhe takime biznesi: [email protected], +383 44 122 697.